E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Respektimi i zëri të çdo qytetari e bën sistemin më të sigurt”

31-05-2011 / Gazeta 55

PD rikonfirmon vullnetin për numërimin e çdo vote të kontestuar, nga të 485 qendrat e votimit në kryeqytet

Në lidhje me vendimin e PD-së për të kërkuar numërimin e çdo vote të kontestuar për Tiranë, kryeministri Sali Berisha tha dje se “ky vendim është jetik, pasi sistemi ynë elektoral ka si shtyllë të parë të drejtën e kundërshtimit”.
Sipas kreut të qeverisë, numërimi i çdo vote të qytetarëve e bën sistemin gjithnjë e më të sigurt. “Sistemi ynë aktual zgjedhor ka si shtyllë të parë dhe të fundit dhe kryesore të sigurisë, të drejtën e kundërshtimit. Ky sistem, në dallim nga sistemi i mëparshëm, që në çdo rast të rezultatit të ngushtë, autorizonte rinumërimin automatik, ky e përjashton këtë. Ky nuk lejon të prekësh asnjë votë me të cilën, komisioner a vëzhgues në qendrën e numërimit kanë qenë të gjithë dakord. Mbi ato nuk ka gjykatës, nuk ka KQZ dhe ato nuk preken, sepse aty është unanimitet i plotë. Por sistemi bazohet në të drejtën e çdo komisioneri, çdo vëzhguesi të cilësdo force politike, që vetëm duke ngritur dorën, të vendosë veton për çdo fletë votimi që atij i duket se nuk është ashtu siç thonë të tjerët, për çdo kuti votimi, për çdo mbledhje e zbritje të rezultateve që bëhen, shumim të rezultateve në qendër të votimit. Ky është një rregull i artë, ky është një rregull që e bën sistemin tonë sistemin më të drejtë, ky është një rregull me të cilin komisionerët, vëzhguesit kanë treguar përgjegjësinë më të lartë. Imagjinoni që në 252 mijë fletë votimi të numëruara në qytetin e Tiranës, nuk janë as 300-400 vota të kontestuara që duhet të rivlerësohen. Të gjitha të tjerat pa përjashtim janë të miratuara me unanimitet. Pra, për ta qartësuar, në procesin e numërimit ka tre produkte; vota të vlefshme janë ato të cilat kanë marrë votën e të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve, vota të pavlefshme janë vetëm ato për të cilat janë votuar si të tilla nga të gjithë komisionerët e vëzhguesit dhe kategoria e tretë janë votat e kundërshtuara, të cilat kanë fituar të drejtën e qytetarisë për t’u rishqyrtuar, për t’u vlerësuar dhe rilexuar në të gjitha instancat e shqyrtimit të ankesave të sistemit zgjedhor nga KZAZ, tek KQZ e tek Gjykata e Apelit. Përse ne vendosëm të bëhet rivlerësimi i votave të kundërshtuara? Për të mbrojtur sistemin”, sqaroi kreu i qeverisë për këtë problematikë.
Berisha theksoi se “ne i kemi lejuar vetes vetëm një përjashtim dhe ky përjashtim ka qenë në fletët të cilat janë gjetur me kundra fletë në kutitë e votimit. Me shumë të drejtë komisionerët e vëzhguesit te të dy anëve i kanë quajtur ato të kontestuara. Por, po të kemi parasysh një element, në rastin e Tiranës, në qoftë se ne do të merreshim edhe me këto vota, kandidati tjetër i Tiranës nuk do ishte më me minus 81 vota por do ishte me minus 300-400 vota. Po ku ishte morali këtu? Në të gjitha këto vota, dua t’ju garantoj se qytetarët e Tiranës kishin shprehur qartë vullnetin tyre se për cilin kishin votuar. Pra nuk kishin të bënin më me kundërshtarin, por kishin të bënin me qëllimin e shprehur qartë  nga qytetari i Tiranës për preferencën e tij. Atëherë, ne që u shprehëm për të numëruar çdo votë dhe e realizuam këtë në mënyrën më të vendosur, ne nuk mund kurrë t’u thoshim këtyre qytetarëve, se për gabimet e komisionerit që ka vendosur fletën dhe kundra fletën në kuti, vota jote nuk vlen. Morali ynë nuk na çonte deri aty, ndaj dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj. Unë e di se ka mbështetës, simpatizantë tanët, që do të kishin dashur që ne t’i kishim përfshirë edhe këto vota në votat e kontestuara”, tha kryeministri.
Ai u shpreh se kreu i PS-së mund të kishte bërë padi për të gjitha çështjet që e kanë shqetësuar gjatë zgjedhjeve në Tiranë.
“Unë kërkoj mirëkuptimin e plotë të tyre sepse ne nuk e bëmë këtë lëshim për zotin Edi Rama. Jo. Ne mbajtëm këtë qëndrim në respekt të atyre mbi 1 mijë e ca qytetarë të Tiranës të cilët kishin votuar  në qendrën e votimit të caktuar nga KQZ, me një komision të miratuar nga forcat politike dhe KQZ, në katër kutitë e votimit, në të njëjtën ditë, në të njëjtën minutë, por që në dëm të tyre, komisioneri i pakujdesshëm kishte vendosur në kuti fletën dhe kundrafletën. Ne nuk gjenim dot moral në këtë pikë. Gjithnjë në një betejë nuk duhet të shohësh kurrë të marrësh modelin se çfarë bën kundërshtari. Përkundrazi, në çdo rast duhet të përpiqesh të tregohesh më eprore në besimin e vlerave. Por çfarë ndodhi këto dy ditë? Ju e patë vet, zoti Rama i cili kishte 144 orë afat për të paraqitur, në qoftë se donte 155 ankesa. Por ai dorëzoi vetëm 2 ankesa dhe ato natyrisht i ka me ato vota që ai i quan klandestine, që po të kishte skafe do të shkonte t’i hidhte në mes të detit, por nuk ka se kemi bërë Moratoriumin  dhe jo me votat e qytetarëve që i ka qeverisur 11 vjet, të hedhura të pastra si kristal, të qarta si rrezja e diellit, të të gjitha kategorive, përfshi dhe nivelet më të larta. Pra, pasi paditi këto vota, nuk bëri asnjë padi tjetër. Pardje ai nxori avokatin e tij të ri Gramoz Ruçi, i cili tha se ka mospërputhje në tabela, etj., etj. Por kush të pengoi ty o zotëri që, në 144 orë, ti mund të kishe paditur të paktën 2000 kuti votimi dhe tabelat e tyre? Por nuk e bëre, por e bëre pasi u mbyllën të gjitha afatet ankimore. Para dy netësh Ser Aleks Ferguson iu drejtua Platinisë se ku i kam ato penalltitë e munguara dhe Platini iu përgjigj se jashtë kohe nuk ka ankesa, ndaj përpiqu radhës tjetër  që Manchester United të rivendosë nderin e humbur, në atë ndeshje të cilën e fitoi Barcelona, e cila i dha Evropës një nga ndeshjet më të bukura në historinë e saj. Mirëpo Ser Aleks merr vesh, ndërsa Gramozi nuk merr vesh gjë. Ai thotë jo, nuk ka afate. Sidoqoftë ata këtë gjë e kanë betejë të brendshme me komisionerët e vet, sepse tani e tutje shqiptarët duhet të jenë të përgatitur të dëgjojnë akuza nga më të ndryshme për komisonerët socialistë se si ata i bënë gjëmën kryetarit të tyre, duke qenë njerëz që kanë punuar me korrektesën më të madhe”, shtoi më tej kryeministri Berisha duke ironizuar kreun e PS, i cili asnjëherë s’respekton rregullat dhe  ju drejtuar kreut të opozitës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›