“Reporterët pa kufij”, kritika ndaj Twitter për censurë

“Reporterët pa kufij”, grupi ndërkombëtar që monitoron lirinë e shtypit kanë shprehur “shqetësim të madh” ndaj njoftimit të rrjetit social Twitter, i cili ka thënë se “mund t`i bllokojë postimet e përdoruesve që paraqiten në disa vende specifike”.
“Reporterët pa kufij” jane shprehur se masa është censurë dhe “lajm i keq për lirinë online të shprehjes”.
Twitter ka bërë të ditur më 26 janar se “ka mundësi të çaktivizojë postimet e përdoruesve për disa vende dhe t`i mbajë ato në dispozicion për pjesën tjetër të botës”.
Rrjeti social ka deklaruar se “është duke punuar në vendet që kanë pikëpamje ndryshe për konceptin e lirisë së shprehjes”.
Twitter ka thënë se “nuk e ka përdorur ende këtë kapacitet” dhe nëse do ta përdorë, “do të bëjë përpjekje t`i informojë përdoruesit se përmbajtja e tyre nuk është e dukshme në vende të caktuara”.