Republika Çeka, Polonia dhe Hungari përkujtuan sot 10 vjetorin e aderimit në NATO
Me rastin e 10 vjetorit të anëtarësimit në NATO të Republikës Çeke , Hungarisë dhe Polonisë është organizuar sot në ambientet e Ambasadës Çeke një Konferencë e Përbashkët për shtyp e tre ambasadorëve të këtyre të vende të akdredituara në Shqipëri, përkatësisht të ambasadores çeke Fialkova, ambasadores të Polonisë Tatarzynska dhe ambasadorit hungarez Molnari. Në deklaratën e përbashkët të tre ambasadorëve të këtyre vendeve thuhet se ‘’ 12 Marsi 1999 ishte një ditë e rëndësishme jo vetëm për historinë e tre shteteve, por edhe për vetë aleancën”. Vendimi i NATO-s për t'i zgjedhur këto tre shtete për zgjerimin erdhi pas disa dekadash pas Luftës së Ftohtë, dhe ishte një mesazh i NATO-s për të gjithë botën, pasi riforcoi angazhimin dhe provoi aftësitë për të mbrojtur dhe promovuar lirinë demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Me aksesin në NATO vendet tona u rikthyen në një komunitet demokratik pas një periudhe të gjatë të regjimit diktatorial '', theksuan ambasadorët e këtyre tri vendeve.
Më tej në deklaratë citohet se ''Ne do të mbështesim Shqipërinë në vazhdimin e reformave për të forcuar demokracinë, si një tregues kyç për integrimin në strukturën euroatlantike”. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Glori Hysi Koordinator Kombëtar për Çështjet në NATO , i cili pasi përcolli përshëndetjet e Kryeministrit Berisha në këtë ditë të shënuar për këto tre vende tha se ‘’ Për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO dhe integrimi në BE kanë përbërë përparësitë kryesore të politikës së saj të jashtme e të sigurisë, gjatë dy dekadave të fundit, mbështetur nga të gjitha forcat politike dhe mbarë opinioni public”. Ai shtoi më tej se ‘’Ekzistojnë, padyshim, një sërë arsyesh për këtë mbështetje masive, por e para dhe më kryesorja është fakti se shqiptarët shohin te NATO aleancën, politike e ushtarake, të vendeve të lira, që mbron, para së gjithash e mbi gjithçka, vlerat e përbashkëta të demokracisë e të shtetit ligjor, dhe të drejtën e çdo individi të gjejë mundësitë e shanset për mirëqenie individuale, në një ekonomi të lirë tregu”. Hysi tha se ''Shqipëria po ndryshon, dhe në raportet e ndërkombëtarëve nuk hezitohet të pasqyrohet ky realitet të ri, duke e renditur Shqipërinë në nivelet me te larta për mbarëvajtjen e reformave dhe klimën e favorshme për biznes e investime, apo që po lë pas me shpejtësi me dhjetëra vende të botës, në luftën kundër korrupsionit. Gjatë dy dekadave të fundit, -shtoi ai- Shqipëria ka vendosur një bashkëpunim të shkëlqyer e luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut, Gjithashtu me fqinjët e saj në rajon, Shqipëria është kthyer në një prodhues stabiliteti e sigurie dhe në një partner të rëndësishëm të NATO-s në këtë pjesë të globit. Këto arritje e ky kontribut bënë të mundur marrjen e ftesës për në samitin e NATO-s, të prillit 2008, dhe ratifikimin, në një kohë rekord, nga të 26 vendet anëtare të protokollit të anëtarësimit, duke i hapur kështu rrugën Shqipërisë të ulet në tryezën e Këshillit të Atlantikut të Veriut si anëtar, me të drejta të plota i Aleancës, që pritet të ndodhë në Samitin e Strasburgut në 3-4 prill 2009 ‘’- tha Koordinatori për Çështjet e NATO-s Glori Hysi.
...