Këshilli i Ministrave miraton një tjetër vendim për rigjallërimin e zonës së Gërdecit

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për miratimin e burimeve dhe të procedurave të financimit të dëmeve pasurore, të shkaktuara nga aksidenti teknologjik i Gërdecit. Kryeministri tha se ky vendim vjen pas rillogaritjeve dhe përllogaritjeve që janë bërë për dëmet në këtë zonë. “ Ne qëndrojmë të vendosur, ashtu siç edhe keni konstatuar, për rikthimin në një nivel tjetër të ri të infrastrukturës, të ndërtimit të banesave dhe gjithçkaje tjetër në zonën e traumatizuar””, u shpreh Kryeministri. Më tej, Kryeministri shprehu bindjen se drejtësia do të thotë fjalën e saj për këtë tragjedi. Ndërsa duke iu referuar reagimit të opozitës, Kryeministri u shpreh se opozita ka shpallur manipulimin me fatkeqësinë e të vdekurit, por kjo mbetet zgjedhja e saj. “Nuk mendoj se mund të hapet fushata elektorale me mitingje mortore. Të hapësh fushatë elektorale me mitingje mortore, do të thotë se merr përsipër një përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndë, një dhunim të një kodi që është i shenjtë për shqiptarët”, nënvizoi Kryeministri.
...