E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republikanët: Obama po luan për aprovimin e ligjit për financat

Zyrtarët e lartë republikanë kërkojnë sqarime për akuzën ndaj “Goldman”

Banka e madhe investimeve të Wall Street, “Goldman Sachs”, ka qenë në qendër të një debati e stuhie të ashpër politike në SHBA, ndërsa zyrtarë të lartë amerikanë kanë nisur një hetim në lidhje me mundësinë që Shtëpia e Bardhë të ketë bashkëpunuar më parë me rregullatorin e Wall Street në lidhje me vendimin e formulimit të një akuze ndaj bankës. Zyrtarët e lartë republikanë kanë kërkuar prova që Komisioni për Shkëmbimin dhe Sigurimet nuk ka pasur me Shtëpinë e Bardhë një komunikim të jashtëligjshëm para se ta bënte zyrtare akuzën ndaj institucionit financiar.
Wall Street dhe aleatët e tij kanë pretenduar me një inat të madh se çështja e hapur ndaj “Goldman” po bëhet për të ndihmuar administratën e Obamës, për të detyruar republikanët që të mbështesin një reformë rregullatore financiare, që synon të parandalojë krizat financiare në të ardhmen.
Sipas pretendimit të republikanëve, momenti i akuzës ka ngjallur dyshime në lidhje me pavarësinë e komisionit dhe paanshmërinë e tij. Republikanët thonë se komisioni është përpjekur që të favorizojë demokratët dhe kryesisht Shtëpinë e Bardhë në prag të hedhjes për votim të një ligji shumë të rëndësishëm për mbikëqyrjen e financave. Por shefja e komisionit, e caktuar në këtë detyrë nga vetë Presidenti Obama, ka deklaruar se kërkonte praktikën e hetimit ndaj bankës që të mos e bënte në gjykatë. Për sa i përket ligjit që demokratët duan të aprovojnë, ai pritet që të rregullojë edhe tregtinë komplekse të derivativave. Por ky projekt është sulmuar dje për herë të parë nga shumë lobistë që zbritën në Uashington, për të argumentuar se mungesa e rregullave të fiksuar në industrinë e derivativave është vitale për fermat dhe manifakturat. Për sa i përket Obamës, ai ka deklaruar se do të vendoste veton mbi çdo projekt që nuk do të përmbante rregullimin e derivativave. Ai deklaroi se e dinte fort mirë afërsinë që kanë republikanët me lobistët e Wall Street. I bindur se reforma e tij do të gjejë mbështetje te votuesit, edhe pse republikanët mund të jenë kundër, Presidenti amerikan do të ndodhet sot në Nju Jork për të mbështetur personalisht përpjekjen e tij për një rishikim e riformatim të sistemit që e çoi ekonominë në prag të katastrofës në vitin 2008. Pasojat shumë të rënda të kësaj krize vazhdojnë që të kenë efektin e tyre edhe sot e kësaj dite me numrin e lartë të të papunëve dhe falimentimin e shumë ndërmarrjeve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›