E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohet, për Gjilanin

Përfundimi i procesit të rinumërimit të votave të Gjilanit, nuk do ta përmbyllë suksesshëm tregimin për zgjedhjet e fundit në Kosovë. Ai do të vazhdojë të mbetet i njollosur nga konfrontimet midis dy institucioneve kryesore që u morën me fjalën e qytetarit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, gjatë periudhës elektorale, kanë dhënë qëndrime diametralisht të kundërta për procesin zgjedhor.

Gjilani është rasti eklatant.

Nëse Nesrin Lushta thotë se nuk janë gjetur parregullsi në Gjilan, atëherë cila është përgjigja e Tahin Rrecajt?

Të dielën, ai nuk ka qenë shumë i qartë se cila është e vërteta për çështjen e raundit të dytë garës për Kryetar të Gjilanit.

Kryesuesi i KZAP’it, në një bisedë për Express, ka mbrojtur vendimin e mëhershëm të institucionit që udhëheq, mirëpo në një mënyrë ka arsyetuar edhe vendimin e KQZ’së.
Sipas tij, vendimi për rivotim në Gjilan ka ardhur pasi që dy hetues amerikanë të KZAP’it kanë konstatuar shkelje.

“Ne kemi dy hetues ndërkombëtarë, të cilët kanë bërë hetime dhe kanë konstatuar shkeljet. Ata të dy janë nga SHBA’të dhe janë njerëz me përvojë. Ata i kanë konstatuar ato shkelje. Dhe, mbi bazën e atyre konstatimeve, Paneli i Komisionit ka marrë vendim që të udhëzohet KQZ’ja t’i përsëritë zgjedhjet edhe në Gjilan”, ka thënë Rrecaj, të dielën, për Express.

KZAP udhëzoi javë më parë KQZ’në që t’i përsërisë zgjedhjet në Gjilan, ashtu sikurse edhe në Prizren dhe Lipjan, pasi që kishte konstatuar shkelje serioze gjatë raundit të dytë të garës për kryetarë komunash.

Por, KQZ nuk përfilli vendimin për rivotim në Gjilan, por urdhëroi rinumërimin dhe hetimin e votave të kësaj komune. E, rinumërimi dhe hetimi i votave, sipas KQZ’së, nuk dëshmoi se në këtë qytet ka pasur shkelje, ashtu siç thoshte KZAP.

Rrecaj ka pohuar se KZAP as që ka bërë verifikime për rastin e Gjilanit, duke u mjaftuar vetëm me konstatimet e hetuesve ndërkombëtarë.

“Ne u kemi besuar dhe vazhdojmë t’u besojmë edhe më tutje gjetjeve të tyre. Askush nga Komisioni nuk ka qenë për t’i verifikuar ato fakte. Kjo, sepse Komisioni merr vendime, kurse Sekretariati i përgatitë të gjitha provat, dëshmitë dhe materialet. Në këtë drejtim, ne konsiderojmë se vendimi i KZAP’it ka qenë i drejtë. Por, ai ka qenë vendim këshillues, udhëzues dhe sugjerues”, ka thënë ai.

Megjithëse mbron vendimin e KZAP’it, Tahir Rrecaj arsyeton edhe vendimin e KQZ’së.
“Ne kemi marrë vendimin tonë që është i karakterit udhëzues. Prandaj, ka qenë në autoritetin e KQZ’së, në bazë të Ligjit për Zgjedhje, që të marrë vendim për përsëritjen apo rinumërimin e votave”.

Dilema tjetër me këtë rast është nëse KQZ ka autoritet për të hetuar shkeljet e mundshme elektorale.

Tahir Rrecaj nuk i jep përgjigje kësaj pyetjeje.

“Unë nuk jam i njoftuar se çka ka vepruar KQZ’ja - a kanë bërë rinumërimin apo hetimin. Është çështje e tyre dhe unë nuk mund ta komentoj, sepse nuk e di”, ka thënë ai.
Pas gjithë këtij pështjellimi, Tahir Rrecaj nuk mendon se është dëmtuar KZAP’i. Derisa shton se nuk e ka ndërmend më që të insistojë që të respektohet vendimi i KZAP’it për Gjilanin.

“Në fakt, KQZ e ka zbatuar vendimin e KZAP’it, sepse vendimi ka qenë udhëzues. Duke e zbatuar vendimin e KZAP’it, KQZ ka marrë një vendim që të bëhet rinumërimi i votave”.

Disa parti politike dhe analistë kanë shfaqur dyshimet se vendimet e dy institucioneve që merren me zgjedhjet, kanë mundur të jenë të ndikuar politikisht.

Por, Tahir Rrecaj e mohon një mundësi të tillë.

“Te ne nuk ka pasur asnjë ndërhyrje politike. Nuk besoj se ka pasur edhe në KQZ. Nëse mendoni se ka pasur ndërhyrje të tilla në KQZ, mund t’i parashtroni pyetje KQZ’së”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›