Sarandë, probleme të vazhdueshme në procesin e letërnjoftimeve
Kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë nga fillimi i majit mars dhe aplikimi për kartat e identitetit në nënprefekturat e Sarandës dhe Delvinës ka nisur me probleme serioze. Nga verifikimi në zyrat e aplikimit për kartat elektronike, rezulton se këto zyra funksionojnë dhe janë të hapura vetëm pranë zyrave të gjendjes civile në Bashkinë e Sarandës, pjesërisht në atë të Delvinës dhe në Livadhja është e vetmja zyrë që ka nisur aplikimin.
Në asnjë komunë tjetër, madje as në Bashkinë e Konispolit nuk është krijuar mundësia për të aplikuar për pajisjen e qytetarëve me karta biometrike dhe pasaporta, pasi zyrat nuk janë krijuar dhe nuk janë pajisur me mjetet e domosdoshme për funksionimin normal të tyre. Një gjë e tillë është konfirmuar nga zyrtarë të prefekturës së Sarandës. Ndërkohë që ecuria vlerësohet normale në Bashkinë e Sarandës, nuk mund të thuhet një gjë e tillë për atë të Delvinës, ku numri i atyre që aplikojnë në këtë njësi të qeverisjes vendore është i ulët.