“Republikanët mblidhen për emrin e ri të anëtarit të KQZ”
Partia Republikane mbledh sot Asamblenë e saj drejtuese
TIRANE - Partia Republikane mbledhë sot në ambientet e Pallatit të Kongreseve Asamblenë Kombëtare të partisë. Në axhentën e kësaj asambleje pritet të diskutohen çështje me rëndësi të madhe për këtë forcë politike si dhe bashkëpunimin e saj në koalicionin e mazhorancës së djathtë. Një nga temat më të diskutueshme do të jet forma e bashkëpunimit të PR-së me forcën më të madhe të koalicionit Partinë Demokratike, si dhe mënyrën se si do të përfaqësohen Republikanët në koalicionin parazgjedhor.
Shpesh herë eksponentë të kësaj partie si kryetari Mediu por edhe Presidenti i Asamblesë dhe kryetari i nderit Sabri Godo, janë shprehur se mënyra e përfaqësimit të tyre në koalicion do të varet nga forma përfundimtare që do të marrë Kodi i ri Zgjedhor. Madje ditë më parë Republikanët kanë heqë dorë përfundimisht nga federalizimi i së djathtës duke lënë dorë të lirë përcaktimin e formës parazgjedhore të koalicionit kryeministrit dhe kryetarit të mazhorancës Sali Berisha.
Sot pritet që Asambleja Kombëtare e PR-së të vendosë për mënyrën e bashkëpunimit të mëtejshëm me aleatët e tjerë në koalicionin e djathtë. Një tjetër çështje është ajo e riformatimit të strukturave të kësaj partie në bazë dhe në qendër, në bazë tashmë propozimet dhe riformatimet pothuajse kanë përfunduar, tashmë ngelet që këto struktura të miratohen në Asamble si dhe të zgjidhen dhe propozohen strukturat drejtuese në qendër. Po ashtu nga burime të brendshme mësohet se do të diskutohet edhe për çështjen e kandidaturave të reja për deputetë në zgjedhjet kombëtare, si dhe renditjen sipas hierarkisë së strukturave në listën përkatëse të PR-së, listë e cila do ti bashkëngjitet më pas asaj të djathtës në koalicionin parazgjedhor. Propozimi i anëtarit të Komisionit Qendror Zgjedhor do të jetë një tjetër pikë e diskutimit të kësaj asambleje, madje sipas të njëjtave burime është pothuajse e sigurt që sot Republikanët miratojnë në asamblenë e tyre anëtarin e PR-së në KQZ, që më pas do ti propozohet kryetarit të mazhorancës Berisha për t’u zgjedhur në këtë institucion.