Bombë surprizë me postë, dy të vdekur, tre të plagosur

Ngjarja e rëndë ndodhi dje në mesditë në Sauk, kur një televizor i "dhuruar", vrau të zotin e shtëpisë dhe kushëririn e tij
Dyshimet e policisë drejtohen në pistën e hakmarrjes për një vrasje të kryer nga Xhabrahimi në kushtet e vetëmbrojtjes
TIRANE- Bombë në televizorin e dërguar me postë, vritet bahçevani njëkohësisht punonjës i ambasadës amerikane, kushëriri i tij, plagosen rëndë bashkëshortja djali dhe vajza.
Pikërisht në pistën e dërgimit të lëndës shpërthyese brenda televizorit të ambalazhuar në pako si një dhuratë, po drejtohen përpjekjet e grupit hetimor të ngjarjes së paradites së djeshme në Sauk të Vjetër, i përbërë nga specialistë të zyrës së hetimit të vrasjeve si dhe nga një prokuror i Prokurorisë së Tiranës.
Në ngjarjen e paradites së djeshme mbetën të vdekur, në vend, i zoti i shtëpisë, Xhevdet Xhebrahimi, 64 vjeç, me profesion bahçevan, i afërmi i tij Luan Brahja, 36 vjeç.
Në ngjarje mbetën të plagosur rëndë, bashkëshortja e Xhevdet Xhebrahimit, Fatbardha, 58 vjeçe, si dhe fëmijët, e familjes, Altin dhe Shpresa Xhebrahimi, përkatësish 33 dhe 28 vjeçe. Shkak për ngjarjen, policia po heton deri më tani si version të vetëm atë të një vrasjeje për qëllime hakmarrjeje.
Kjo pasi në vtin 1997, Xhevdet Xhebrahimi, dyshohet të ketë vrarë në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme, një person përpara portës së shtëpisë së shtëpisë në Sauk të Vjetër, apo siç njihet ndryshe edhe me emrin Sauk i Poshtëm.
Shpërthimi
Mëngjesin e djeshëm, kur familja Xhebrahimi sapo ishte kthyer nga dasma e një të afërmi të tyre, ka menduar të vinte në punë televizorin plazma, teknologji e fjalës së fundit.
Më parë ai kishte tentuar ta bënte këtë veprim me personat që i kishin sjellë televizorin dhe që i kishin komunikuar se ai ishte fitues i një llotarie. Dje në mëngjes, pasi ishin kthyer nga një dasmë e një të afërmi të tyre, pjesëtarët e familjes së Xhevdet Xhebrahimit, ishin në gjumë.
Po kështu edhe një kushëri i tyre që banonte në katin e parë të shtëpisë dy katëshe që banonte me qera, gjithashtu kishte qenë në gjumë. Vetë Xhevdeti nuk duronte dot pa vënë në punë televizorin, për shkak edhe të Kampionatit Botëror të Futbollit, që po zhvillohet në Afrikën e Jugut.
Për të vënë në punë "dhuratën", duke qenë se teknikët e firmës nuk po vinin, ai thirri të afërmin e tij, Luan Brahjen, 36 vjeç, i cili gjithashtu banonte në Sauk të Poshtëm, në një banesë përballë liqenit artificial.
Pasi hoqën ambalazhet nga televizori, nisën të sistemonin vendin ku do ta vinin. Sapo spina e televizorit u fut në prizë dhe ata duhej ta ndizin, televizori shpërtheu në mënyrë të fuqishme me një rreze vale prej më tepër se 30 metrash.
Nga shpërthimi mbeti i vdekur në vend, Xhevdet Xhebrahimi, si dhe i afërmi i tij, Luan Brahja, i cili në momentin e shpërthimit, ndodhej përballë televizorit. Dyshemeja e katit të dytë u shemb, dhe bashkë me të ranë edhe Luani dhe Xhevdeti.
Fëmijët e Xhevdetit, Altini dhe Shpresa si dhe bashkëshortja e tij, Fatbardha, morën plagë të rënda nga shembja e mureve të shtëpisë, çatia dhe trarët, si dhe tavani me kallama. Për fatin e tyre ata ndodheshin në krahun jugperëndimor të ndërtesës, ndryshe nga drejtimi i shpërthimit që ishte nga krahu lindor.
Kushërinjtë e tyre që jetonin me qera në katin e parë nuk pësuan plagë, për shkak se ishin në krahun e kundërt të shpërthimit. Të plagosurit janë ndihmuar të nxirren nga shtëpia, prej të afërmëve të tyre, që banonin në një shtëpi tjetër pranë tyre dhe u nisën për në spital me urgjencë.
Ndryshe nga të mbijetuarit, dy të vrarët, ishte e pamundur të nxirreshin, për shkak se ishin zënë nga gërmadhat e shembura të shtëpisë.
Nipi i Xhevdet Xhebrahimit, Fatjoni, kishte bërë përpjekje, për të nxjerrë xhaxhain e tij, por nuk kishte mundur. Më pas mbërritja e ndihmës së shpejtë dhe zjarfikëseve, bëri që ata me mjetet e tyre të ndërhynin për të nxjerrë trupat e të vrarëve.
Për rreth 10 minuta, forcave të kërkim shpëtimit, iu është dashur të gërmojnë nën rrënoja për të nxjerrë trupat e të vrarëve, të mbuluar nga gërmadhat e shembura të shtëpisë.
Të vrarë
Xhevdet Xhebrahimi 64 vjeç, bahçevan
Luan Brahja, 36 vjeç
Të plagosur rëndë
Fatbardha Xhebrahimi, 58 vjeçe
Altin Xhebrahimi, 33 vjeç
Shpresa Xhebrahimi, 28 vjeçe
Policia tha dje zyrtarisht se po heton në pistën e një vepre kriminale si dhe atë aksidentale
Hetimi drejtohet mbi ngjarjen e vitit 1997
Menjëherë pas evakuimit të zonës përreth, ku ndodhi shpërthimi i djeshëm, policia e kryeqytetit nisi hetimin e ngjarjes, duke kryer fillimisht këqyrjen e vatrës së shpërthimit si dhe të rrezes së valës goditëse.
Nga këqyrja e kryer nga ekspertët Xhenierë dhe ata të kriminalistë të drejtorisë së Policisë së Tiranës, është krijuar dyshimi se shpërthimi mund të ketë qenë pasoje e një sasie të konsiderueshme lënde plasëse. Ky dyshim është ngritur pasi policia ka gjetur një bombël gazi të nevojshme për gatim dhe që u dyshua se mund të kishte pasur rrjedhje.
Menjëherë pas verifikimit të saj, si dhe pas këmbënguljes së bashkëshortes së Xhevdetit, Fatbardhës, se shpërthimi kishte ndodhur nga televizori, policia ndryshoi kursin e hetimit të saj, duke u përqendruar tek një ngjarje me motive kriminale.
Pavarësisht kësaj, në versionin e saj zyrtar policia tha se në pistat e saj të hetimit ishin renditur, si ngjarja e ndodhur në mënyrë aksidentale, por edhe ajo e ndodhur me qëllime kriminale. Burimet e "Shekullit", pohuan mbrëmë se pista e vetme që hetohej ishte ajo e një ngjarjeje me qëllim kriminal.
Burimet thanë se në brendësi të televizorit, mund të ketë pasur një sasi lëndë prej afërsisht 400 gramë eksploziv, e mjaftueshme për të shkaktuar një shpërthim të përmasave të tilla.
Ndërkaq, hetuesit e policisë së kryeqytetit, pasi morën në konsideratë versionin e një ngjarjeje të qëllimshme, morën në pyetje pjesëtarë dhe të afërm të familjes Xhebrahimi, këta të fundit treguan si konflikt të vetëm të tyre, ngjarjen e vitit 1997. Pavarësisht këtij problemi, pjesëtarë të familjes Xhebrahimi, kanë pohuar se nuk kanë pasur probleme, apo kërcënime.
Një fakt të tillë iu ka pohuar hetuesve vetë Shpresa e cila ka sqaruar se nuk ka pasur konflikte apo probleme. Hetuesit i kanë treguar, pjesëtarëve të familjes, fotot e një grupi personash tek të cilët janë përqendruar hetimet e policisë. Edhe për ta përgjigjet e tyre kanë qenë negative. Pasi secili prej pjesëtarëve të familjes së dëmtuar ka dhënë versionin e tij, policia ka nisur të kryejë verifikime të tjera të nevojshme për ngjarjen.
Kurthi me televizorin "Jeni fitues i kompanisë"
Familja Xhebrahimi kishte marrë me postë një aparat televizori, të mërkurën e javës së kaluar, ndërsa nëpërmjet një numri telefoni iu ishte komunikuar më parë se ishin fitues të një televizori plazma të një marke të shtrenjtë afërsisht 32 polësh. Dhurata, sipas personave, ishte ofruar nga një kompani e cila e jepte atë për klientët e saj përpara nisjes së Kampionatit Botëror të Futbollit.
Në këtë mënyrë dukej se ishte llogaritur që televizori të vihej së paku në punë të premten kur edhe nisi kampionati, por kjo nuk ndodhi pasi Xhevdeti, nuk kishte mundur të vinte në punë televizorin pasi nuk kishte njohuritë e duhura.
Për këtë shkak pas disa ditësh Xhevdet Xhebrahimi kishte tentuar të lidhej me personat që i kishin sjellë atë, duke iu kërkuar atyre që të shkonin t'ia montonin. Pavarësisht thirrjeve të herë pas hershme kjo nuk ndodhi dhe më në fund ai tentoi ta vinte vetë mëngjesin e djeshëm pas kthimit nga dasma e një të afërmi të tij.
Specialistët e Policisë Shkencore, apo siç njihen në fjalorin e përditshëm, ekspertët kriminalistë në vendin e ngjarjes, ku mbeti i vdekur, bahçevani i ambasadës amerikane dhe kushëriri i tij, kanë administruar një mori provash materiale të marra prej tyre në vendin e ngjarjes.
Ndër to ata kanë administruar mbetjet e shkaktuara nga televizori i shpërthyer pas ndezjes së tij, si pjesë kauçuku, copa të ekranit, fotografi nga vendi i ngjarjes, si dhe mjaft elementë të tjerë.
Po kështu policia ka sekuestruar edhe telefonin dhe kartën SIM të Xhevdet Xhebrahimit, si dhe janë fiksuar numrat nga janë dërguar mesazhet që njoftonin këtë të fundit se ishte fitues i televizorit plazma.
Bashkë me ekspertët e policisë së kryeqytetit, në vendin e ngjarjes, ka qenë i pranishëm edhe një specialist i dërguar nga ambasada amerikane. Në fund të veprimeve të tyre, ekspertët kanë administruar jo pak, por më tepër se dy thasë me prova, të fiksuara prej tyre në vendin e ngjarjes.