Reshje dëbore dhe erë e fortë në Shkodër, Angoni për ATSH-në: Akset të qarkullueshme, probleme me energjinë në disa zona

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Për shkak të reshjeve të dëborës që kanë përfshirë veriun e vendit, akset rrugore të qarkut të Shkodrës janë të qarkullueshme.
Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni tha sot për ATSH-në se “në të gjitha akset në zonat malore ka prani të dëborës dhe erë të fortë. Kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe punëtorë për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve”.
Sipas saj, qarkullimi i automjeteve në zonat malore duhet të kryhet me goma dimërore dhe zinxhirë.
“Nga bashkia Shkodër informohemi se vazhdojnë erërat e forta. Njësia administrative Shalë, Shosh, Pult, Velipojë dhe Gur i Zi kanë probleme me furnizimin me energji elektrike. Aksi rrugor Kirë – Shosh është i bllokuar. Rruga për në Theth është e kalueshme, por me ngrica”, tha Angoni.
Në Malësinë e Madhe deri në këto momente nuk raportohen probleme të Emergjencave Civile.
“Nga bashkia Vau Dejës , informohemi se kemi mungesë të furnizimit me energji elektrike në njësinë administrative Vau Dejës, Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak. Vazhdojnë erërat me intensitet të lartë. Dy njësitë malore janë të izoluara nga dëbora. Nga bashkia Pukë informohemi se reshjet e borës kanë pushuar, vijon kriposja e rrugëve. Probleme të tjera nuk raportohen deri në këto momente”, nënvizoi Angoni.
Ndërsa në bashkinë Fushë Arrëz kanë vazhduar reshjet e dëborës gjatë natës së mbrëmshme dhe ka pasur erëra të fuqishme.
“Rruga nacionale Fushë-Arrëz-Qafë Mali është pothuajse e pakalueshme, pasi akoma nuk e ka pastruar asnjë mjet borëpastrues. Vazhdon të jetë e bllokuar rruga Bardhet – Iballe dhe kemi probleme për sa i përket furnizimit me energji elektrike ne fshatrat e njësisë administrative Qafë-Mali dhe Iballë”, informoi Angoni.
Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Lezhë informon se rrjeti kullimit, argjinaturat e diga Shtoder nuk kanë probleme dhe se nivelet e ujit janë nën kuotat e rrezikut.
“Hidrovoret kanë pasur ndërprerje energjie elektrike, por pa shkaktuar probleme në nivelet e ujit. Aktualisht janë në funksion e në gjendje gatishmërie”, tha Angoni.
Prej dy ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dëborës në veri dhe zona juglindore, si dhe me ulje të ndjeshme të temperaturave. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është duke ndjekur nga afër situatën dhe është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile për çdo situatë emergjente që mund të krijohet si pasojë e kushteve atmosferike.
/k.s/