Reshjet e borës, probleme në Kukës e Tropojë
KUKëS- Vazhdojnë problemet nga reshjet e borës kryeisht në verilindje të vendit. Problematike mbetet situata në disa komuna të Kukësit të cilat janë ende të bllokuara. Mësohet se komuna Shishtavec, Bushtricë, Kalis dhe Arrën mbeten të izoluara, ndërsa trashësia e borës arrin deri në rreth 40 centimetra. Aksi Kukës-Tiranë është i kalueshëm, aksi Kukës-Bushtricë si dhe akset Kukës-Peshkopi e Kukës-Arrën të pakalueshme, ndërsa në qytetin e Kukësit aktualisht ka vetëm reshje shiu. Të bllokuara nga bora janë dhe komuna Lekbibaj e Margegaj në Tropojë. Ndërkaq reshjet e borës në Mirditë kanë izoluar komunat Selishtë dhe Orosh, ndërsa rruga e Lurës vazhdon të jetë e bllokuar. Probleme nga bora edhe në qarkun e Dibrës ku mbeten të izoluara komunat Ostren e Zercan si dhe Kalaja e Dodës duke krijuar vështirësi qarkullimi. Ndërsa në Bulqizë mësohet se është ndërprerë puna në minierë.Ndërkaq në Korcë, duket se situata është përmirësuar, pasi nuk rezultojnë më fshatra apo rrugë të bllokuara, ndërsa qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht.(m.a/News24/BalkanWeb)