Reshjet e shiut përmbytin Vlorën
Qyteti i Vlorës është zgjuar sot me reshje intensive të shiut të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa rrugë kryesore të qytetit si dhe në një pjesë të lagjeve periferike. Rruga Vlorë- Skelë është bllokuar plotësisht ndërkohë dhe rruga kryesore që të çon për në portin e qytetit ka qenë e bllokuar nga përmbytjet. Për rreth 30 min qyteti përjetoi një situatë dimri ndërkohë që në bulevardin kryesor si dhe në rrugë të tjera kryesore dytësore u mbuluan nga shiu i madh. Për pasojë u krijua një kaos në trafikun e makinave si dhe në lëvizjen e këmbësorëve. Ndërkohë problematike kanë qenë dhe lagjet 24 maj, 10 korriku, 29 nëntori si dhe një pjesë e rrugës muze Justin Godart.
Dru të rëna nga stuhia në zonën e Panajasë, kanë bllokuar përreth 30 min qarkullimin në këtë aks. Siç bëjnë me dije drejtues të automjeteve që kanë udhëtuar përgjatë aksit Vlorë -Fier, nga stuhia trungje pemësh kanë rënë në rrugë, duke u bërë pengesë për mjetet që kanë kaluar në këtë zonë. Po sipas tyre fatmirësisht automjete të rastit i kanë shpëtuar çastit kur dy trungjet kanë rënë, duke evituar dëmtimet. Si pasojë e stuhisë sot ka patur edhe problematika të tjera, pa dëmtime serioze, si dhe defekte të linjave të energjisë në dy zona.