Studentët nga trojet, regjistrimi në universitete
Regjistrimi i studentëve nga trojet jashtë vendit në universitetet shqiptare do të nisë menjëherë pas shpërndarjes së dytë të maturantëve që Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik do të bëjë në ditët në vazhdim. Ministria e Arsimit dhe e Shkencave njofton në një komunikatë për shtyp, se regjistrimi i studentëve shqiptarë me vendbanim në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc do të kryhet në datat 1-3 tetor, pranë sekretarive të fakulteteve ku ata dëshirojnë të vazhdojnë studimet.
Në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara midis palëve, Ministria e Arsimit dhe e Shkencave pas mbërritjes së kërkesave nga homologët në trojet jashtë vendit, do të dorëzojë në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik, listën e plotë të studentëve që kërkojnë të vazhdojnë studimet në universitetet shqiptare, brenda datës 30 shtator. Për t’u regjistruar në fakultet, studentët nga trojet në datat e caktuara nga MASH, duhet të dorëzojnë pranë sekretarive dokumente si: a) Dëftesë Pjekurie origjinale; b) Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij.
Në dosjen personale që studenti do të paraqesë në fakultet, në sekretari do të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit. Bashkëngjitur me dokumentet e mësipërme, studentët nga trojet jashtë Shqipërisë duhet të kenë me vete edhe dy fotografi si edhe mandatin e arkëtimit të tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh. Numri i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës, ndërsa dokumentet “a” dhe “b” duhet të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të noterizuara.
Në vitin akademik 2008-2009, në universitetet publike në vend, do të vazhdojnë studimet në bazë të vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave, në muajin qershor, 980 studentë nga trojet shqiptare në Ballkan. Numrin më të madh të kuotave të pranimit, edhe për këtë vit do ta ketë Kosova, e ndjekur më tej nga Maqedonia dhe Mali i Zi.
Nga shteti më i ri në Evropë, në vitin akademik në vazhdim do të ulen në auditore rreth 400 studentë, ku pjesa më e madhe do të studiojnë në degë si Infermieri dhe Teknologji Informacioni. Universiteti i cili do të ketë numrin më të lartë të pranimeve nga Kosova, do të jetë ai i Tiranës. Në këtë universitet, do të ulen në auditore gjatë vitit akademik 2008-2009, 103 studentë kosovar. Interesim në rritje këtë vit për universitetet në vend ka edhe nga studentët shqiptarë në Maqedoni. Këshilli i Ministrave, ka miratuar për këtë kategori studentësh që vijnë nga trojet shqiptare jashtë kufirit shtetëror, 230 vende në auditore.
Degët të cilat kanë pasur kërkesën më të lartë, nga studentët shqiptarë të mbërritur nga Maqedonia, janë ato të Universitetit të Elbasanit dhe Korçës, me përkatësisht rreth 40 studentë. Më të kënaqurit nga kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave duket se do të jenë studentë shqiptarët me banim në Mal të Zi, për të cilët janë lënë bosh plot 40 kuota pranimi në Akademinë e Arteve. Degët që do të kenë numrin më të lartë të studentëve nga Mali i Zi në këtë akademi, do të jenë Muzika dhe Artet Figurative.
Shtresa e të Përndjekurve Politikë për të tretin vit radhazi, nuk do të ketë mundësinë të përfitojë nga kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave për pranimet në universitete. Ndryshimi i sistemit të pranimit në universitete nga konkurs në Meritë-Preferencë, ka bërë që kjo shtresë e popullsisë e vuajtuar gjatë regjimit komunist të mos përfitojë lehtësira. Shqetësimi ngrihet nga vetë personat e dëmtuar në sistemin e kaluar, të cilët kërkojnë nga Këshilli i Ministrave, miratimin e kuotave të veçanta për fëmijët e tyre. Në prononcimet për gazetën “Shekulli”, kjo shtresë nuk gjen arsye për heqjen e këtyre kuotave nga Qeveria, tri vite më parë, ndërsa kujton që qeveritë e majta, paçka bindjeve politike, kanë miratuar kurdoherë kuota për këtë shtresë të popullsisë.