Agron Llakaj, rrëfimi për çarjen në spektaklin e njohur humoristik
“Problemet nisën kur djemtë e THSHBLSH kërkuan dyfishim rroge...”
“Bomba” plasi kur shtatori dhe sezoni i ri televiziv ishin akoma larg. Djemtë e grupit “THSHBLSH“, Gent Zenelaj dhe Julian Deda nëpër intervista të gjata mediatike dhanë lajmin zyrtar se i kishin dhënë lamtumirën “Portokallisë”. Konteksti i asaj që thanë ishte pak a shumë ky: “Aty nuk shtyhej më. Me atë regjisor, më mirë ta kërkonin lavdinë të vetëm”.
Fjalët ndiqnin njëra- tjetrën e ndërsa kronikat rozë hidhnin tezat mbi stacionin e radhës të Gentit dhe Julit, thashetheme të tjera përhapeshin me shpejtësi, sipas së cilave nuk do të ishte aspak çudi që gjithë trupën e varietesë së përjavshme ta shikonim jo më në Top – Channel, por në një ekran tjetër. Por si qëndron e vërteta? Ka edhe një version tjetër, po aq zyrtar sa ai i dy djemve të njohur komikë. Drejtori artistik i “Portokallisë”, humoristi Agron Llakaj ka një përgjigje për gjithçka.
Në një intervistë të gjatë për revistën KLAN dhënë gazetares Alida Cenaj, të cilën po e botojmë me shkurtime në SH2, ai rrëfen për konfliktin me djemtë. Ka dhe një konfirmim tjetër: Nuk do të ketë surpriza të tjera. “Portokalli” do të vazhdojë të jetë në ekranin e TCH dhe siparin e ngre më 4 tetor.
- Në ç´fazë është puna me “Portokalli-në” e këtij sezoni?
Kemi rreth një javë që kemi filluar përgatitjet intensive, të motivuar më shumë se kurrë për shkak të disarrethanave të caktuara. Ky është sezoni i parë që ne nuk jemi bashkudhëtarë, të paktën fizikisht me atë që ishte president i Top- Medias, themeluesin e “Portokallisë”, dhe në njëfarë mënyre duke respektuar ndjenjat dhe dashurinë e tij, më shumë se kurrë jemi të investuar. Kjo është pjesa morale, shpirtërore që sinjifikon këtë lloj qëllimi. Pjesa tjetër është që çdonjëri prej nesh e di se “Portokalli” nuk është thjesht një spektakël për të argëtuar qytetarët, por është buka jonë. Duhet kuptuar që në qoftë se është si një zog i bukur që e kemi në dorë, duhet ta shtrëngojmë që të mos na ikë nga duart.
- Atëherë ç´ të reja do të ketë këtë sezon?
Deri tani mund të them që kemi tre prurje nga Kosova: dy vajza dhe një djalë. Ky i fundit e fitoi audicionin dhe do të jetë pjesë e trupës, ndërsa vajzat janë ende në provë. Shfaqjen eparë do ta kemi më 4 tetor dhe mund të them që ka transformime personazhesh, do të dalin me një lëkurë dhe fytyrë të re. Do të luajmë shumë me teatrin dhe filmin shqiptar. Një bllok do të jetë një skeç i mirëfilltë ku çdo aktor, përveç personazhit që ka, mund të bëhet pjesë e atij skeçi me një personazh dhe karakter tjetër. Pjesa me të cilën jemi dashuruar përveç filmave që e nisëm si risi që në sezonin e kaluar, por që tani do të jenë në një shkallë më të lartë profesionale, është teatri. Kemi menduar të luajmë “Pallati 176” ose komedinë “Shi në plazh”, por të interpretuar nga personazhet tanë.
- Do të ketë mungesa nga aktorët e vjetër?
Trupa është ajo që ka qenë përveç dy pjesëtarëve të grupit “THSHBLSH”.
Pse u larguan dy djemtë e “THSHBLSH”?
Mendoj se është një debat i personalizuar me regjisorin e trupës. Debati, të themi profesional me ta (të larguarit), ka nisur që vjeshtën e vitit të kaluar. Para tre vjetësh kam qenë unë pjesë e këtij konflikti, nga i cili u tërhoqa për t’i dhënë jetë më tepër realitetit profesional.
Pse lindi ky konflikt mes jush para tre vjetësh?
Nuk e diskutoj aftësinë apo talentin e tyre, por si çdo personazh në“Portokalli” edhe ky grup nuk është i krijuar si vlerë personale e aktorit. Janë pjesë e krijuar nga stafi. Dua të respektoj gjithmonë shprehjen: “heshtja është flori”, por jo gjithmonë është kështu. Prandaj duhet thënë kjo: Nëse aty ka një aktor që thotë se “unë kam qenë vetë i zoti që kam arritur deri këtu”, kjo është fundi i tij.
Nuk mundet të dalë dikush në skenë pa miratimin e Agronit dhe Altinit. Nëse do të ishte kështu nuk do të ishte e nevojshme të kishte një Agron dhe një Altin. Mendoj se në momente të nxehta gjykimet asnjëherë nuk janë të ftohta. Bëhen palë e atyre opinioneve dhe mllefeve, por kryesisht ndoshta është çështje moshe inati, zemërimi.
Në kohën që kemi konsumuar jetë dhe marrëdhënie me njëri- tjetrin, përveç asaj profesionale, kam kuptuar që institucioni mirënjohjes nuk është rritur në “Portokalli”, ashtu sikurse në të gjithë Shqipërinë. Njëkohësisht e shoqëruar me një lloj delirizmi, pa përcaktuar masë. E shoqëruar me një lloj institucioni të mosfaljes, të një sedre të sëmurë... çuditërisht emri të bëka dhe dëm, përveç të tjerave.
Do të thoni se ata nuk janë veçse dy mosmirënjohës?
Duke reflektuar mbi atë që buka jonë, jo në mënyrë simbolike, por sinjifikative, në momentin që kori i “Portokallisë” del në skenë, u kam thënë djemve dhe vajzave kur i hedhim krahët njëri-tjetrit, se kjo është vlera e suksesit tonë. Sa më shumë të mbështetur tek njëri- tjetri, aq më miq do jemi. Në momentin që fillojmë dhe shkëputemi...nuk dua të diskutoj forma të tilla. Delja që shkëputet nga kopeja e ha ujku etj, etj. Veç kësaj, këtë e kam quajtur pjesë të rritjes.
Gjithmonë ka një njeri që duhet të drejtojë, në të kundërt do të ishte anarshi. Kur thuhet një herë “mos e bëj”, nuk duhet ta bësh. Pra, e quaj këtë histori si humbje të“Portokallisë”, por edhe të tyre. Edhe ata kanë humbur që nuk janë aty. Unë nuk kam qenë dakord që ata të përjashtoheshin. Para se të largohesha për një aktivitet në Greqi, kam qenë pjesë vendimmarrjeje për paralajmërim për pushim nga puna.
Kur u ktheva gjeta një realitet tjetër, rrjedhojë e marrëdhënieve mes dy palëve: regjisorit dhe djemve. Gjithsesi njërin prej tyre, Gentin, nuk e kam takuar. Julin po! E kam përshëndetur, i kam uruar sukses. Di të them që ai regjisor “aq i keq!, të paktën për ata, dikur ka qenë pjesë e konfliktit me mua sepse ishte suporti më i fuqishëm për ata.
Djemtë gjithashtu nga ana e tyre kanë folur për mosmirënjohje, mosvlerësim i punës etj.
Unë nuk e kuptoj se për çfarë duhet të jetë regjisori mirënjohës. Nuk jam dakord. Ne jemi aq të afërt me njëri-tjetrin sa nuk kemi pse t´i bëjmë gjërat mediatike, dimë t´ia themi njëri- tjetrit gjërat në sy. Megjithatë duhet të them se problemet kanë nisur që vjeshtën e kaluar, kur dy djemtë e “THSHBLSH” kërkuan dyfishimin e rrogës.
Por e bënë në mënyrën më joprofesionale të mundshme. Ndodhi një javë përpara fillimit të sezonit dhe me kushtin: Nëse jo, ne ikim. Përgjigjen ua dha presidenti i Top- Medias, i cili erdhi në mbledhjen e jashtëzakonshme edhe u tha: “Kam respekt për atë që keni bërë, por mosharroni atë që ka bërë Top- Media për ju. Ju mori nga kafenetë ku rrinit dhe ju bëri të njohur”.
Po të pyesësh sot ndonjërin e aktorëve të “Portokallisë” se nga vijnë, mund t’u vijë rëndë ta thonë. Por njeriu nuk duhet ta harrojë kurrë se nga vjen, kush ka qenë. Kjo është shumë e rëndësishme.
Megjithatë atëherë problemet u kaluan, përderisa nuk pati as largime, as përjashtime. Thoni se nuk keni qenë këtu kur janë bërë debatet, por si drejtor artistik duhet ta dini si qëndrojnë gjërat mes regjisorit dhe “THSHBLSH”.
Sigurisht kam kërkuar të di arsyet dhe kur kam parë që ato kanë qenë profesionale dhe jo personale, kam pritur një lloj korrigjimi të asaj që ata bënë. Sepse unë nuk e di sesa i bukur dhe i madh ishte ai numri që luajtën ata në puntatën e fundit dhe nuk mund të pranoj kurrën e kurrës që djemtë që shkojnë në Afganistan apo në Irak, në misione paqeruajtëse e vënë kokën para plumbit, janë “b...q....“ apo homoseksualë, thënë më saktë.
Këtë nuk mund ta pranoj kurrë dhe herën e fundit farë ky është shkaku i sherrit. Unë kam qenë njeriu që kam kërkuar që ata ta hiqnin këtë numër nga skaleta. Morali im nuk mund ta pranonte këtë. Unë jam një njeri që qesh për të qeshur; qoftë Genti, qoftë Juli duhet të kuptojnë që numri i fundit i tyre ishte shumë i shëmtuar.
Nëse ishte kështu, pse u lejua të dilte në skenë?
U lejua sepse ata dhanë fjalën që do ta shkurtonin materialin, ndërsa kur doli në skenë doli ndryshe, siç donin ata vetë.
Ç´marrëdhënie keni pasur ju si drejtor artistik, por edhe si Agroni me djemtë e “THSHBLSH”?
Të them të drejtën, të paktën me grupin “THSHBLSH” kam rreth tre vjet që nuk kam pasur marrëdhënie si me aktorët e tjerë të trupës, përjashto Jul Dedën. Me Ermalin marrëdhëniet e mia kanë qenë të personalizuara. Kemi bashkëpunuar në skenë, por në pjesën tjetër nuk kam pasur asnjë lloj lidhjeje. E kam respektuar për atë që ka bërë dhe kaq. Është diçka personale që nuk ka nevojë ta dijë publiku. Me Gent Zenelajn në shumë raste kam vënë re që nuk më ka folur fare me gojë, më ka qëndruar ftohtë, nuk e di shkakun as sot e kësaj dite. Realisht nuk di të mos i kem ndezur dritën jeshile. Ata janë fëmijët e mi për nga mosha dhe unë nuk mund të flas me gjuhën e tyre. Në momentin e largimit të tyre, gjëja e parë që kam menduar ka qenë fakti se ata kanë familje dhe nuk do më pëlqente që një apo dy muaj të rrinin pa rrogë. Ama, kur vijojnë divorce të tilla, unë jam i sigurt se në qoftë se ata janë të zotë, dinë ta tregojnë veten e tyre në çdo lloj ekrani. Po ta personalizoja, sidomos me Julin, veç ngjarjes kjo është jeta: është pjesë e zhvillimit dhe rritjes. Ata mbase kishin nevojë të fluturonin më shumë se të tjerët.
Po me aktorët e tjerë të trupës “Portokalli” ka probleme të këtij lloji?
Rruga jonë ka qenë e shoqëruar me probleme të tilla. Para dy vjetësh ne patëm probleme edhe me dy aktorë të tjerë. Mendoj që pjesën e rritjes dhe të suksesit, ata duhet ta shohin jo vetëm në kuptimin financiar. Duhet ta shikojnë me këmbë në tokë: Të gjithë i duam lekët, por ne nuk jemi prodhim i Bankës së Shtetit Shqiptar, kemi një thesar e atyre nuk u jepet para. Ka një lloj limiti. I cili duhet respektuar.
Të rrojë manastiri, se kallogjerë gjen sa të duash. Më gjithë këto halle që kanë shqiptarët, nuk është ndonjë hata e madhe që ikën “THSHBLSH” nga “Portokallia”.
Flitet që këtë sezon mund të rikthehet Ermal Mamaqi?
Di që i është bërë një ftesë nga regjisori, por ende nuk ka një përgjigje përfundimtare.
U bënë katër vjet “Portokalli”. A i trembeni konsumimit?
Portokallia është teatër. Humori është i përjetshëm, njerëzit gjithmonë do të kenë nevojë të qeshin. Deri në momentin që ne dimë të prodhojmë të qeshurën, asnjëherë nuk mund të ketë konsum.
Megjithatë shumë herë bie në banalitet...
Meqë kanë rënë, një meritë të madhe në këtë pikë ka grupi “THSHBLSH”. Sa për banalitet në “Portokalli” një gjë e mirë, sado e bukur të jetë, edhe shahet.
Do t´ju shohim edhe këtë sezon me Amarda Toskën përkrah?
Po, nuk do të ketë ndryshime. Në këto katër vjet Ami është rritur profesionalisht, është një figurë që publiku e do. Realisht edhe marrëdhëniet me mua si partner janë mëse të ngrohta. Nuk ka arsye të ketë ndryshime në këtë pjesë, prandaj dhe nuk do ketë.