E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, fryhet Osumi, rrezikon të përmbytë Beratin

Shpërthen rezervuari në fshatin Kajcë. Emergjencat civile në qytetin-muze janë në gatishmëri për shkak të gjendjes


Në disa akse nacionale të vendit ka probleme për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe çarjeve të rrugës


Sikur të mos mjaftonte situata tejet e rënduar e infrastrukturës në Qarkun e Beratit për shkak të reshjeve të shumta, një tjetër alarm mbërrin pasdite në Berat: rezervuari i fshatit Kajcë në rrethin e Përmetit ka shpërthyer dhe ujërat e tij kanë përmbytur fshatin fqinjë të Prishtës në rrethin e Skraparit.


Sipas informacioneve paraprake, rreth 15 familje dhe 15 ha tokë janë përmbytur, ndërkohë që frika ka përfshirë Çorovodën e Beratin, për shkak se ujërat e këtij rezervuari do të bashkohen me Osumin e tejfryrë, shtrati i të cilit ka përmbytur disa familje anës tij.


Ndërkohë, Shtabi i Emergjencës së Bashkisë së Beratit është i mbledhur për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të qenë në gatishmëri për evakuimin e banorëve që mund të përmbyten nëse lumi del nga shtrati.


Për këtë qëllim është vënë në gatishmëri konvikti i shkollës së mesme me rreth 200 vende. Rezervuari i Kajcës, ka një kapacitet prej 150 mijë metër kub, ndërsa i Prishtës 500 mijë metër kub ujë. Për momentin rezervuari ka shpërthyer dhe ka përmbytur toka dhe banesa në Prishtë e fshatrat rrotull.


Bllokohet aksi Korçë-Liqenas


Çarjet e tokës të shkaktuara nga një gurore rreth një vit më parë janë shoqëruar me rrëshqitje të dheut në një nga zonat minoritare në rrethin e Korçës. Në rast të vazhdimit të këtyre rrëshqitjeve të tokës, segmenti Korçë-Liqenas-Dogana e Gorricës do të mbyllet duke izoluar rreth 5 mijë banorë të minoritetit maqedonas të vendosur në komunën e Liqenasit.


Sipas informacioneve zyrtare që vijnë nga Shtabi i Emergjencave Civile pranë prefekturës së Korçës, rrëshqitjet janë aktivizuar pak ditë më parë pas reshjeve të shumta të dëborës të rëna edhe në këtë zonë. Ndërkaq, shkrirja e bores, si dhe reshjet e shiut kanë provokuar rrëshqitjen e cila ka krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve.


Nisur nga kjo gjendje, Drejtoria Rajonale e Rrugëve Nacionale në Korçë, si dhe policia e qarkullimit rrugor kanë mbyllur rrugën në një krah, duke lejuar të hyjnë në të vetëm mjetet e tonazhit të ulët. Përsa iu përket mauneve që qarkullojnë në këtë zonë drejt Doganës së Gorricës dhe anasjelltas, nuk lejohen të lëvizin për të parandalur një rëndim të situatës. Specialistët vënë alarmin, madje kanë njoftuar me urgjencë prefektin e Korçës, Andrea Mano.


Në zonë janë dërguar dy mjete për të ndërhyrë, por reshjet e borës nëse do të vazhdojnë të bien me intensitetin e ditëve të fundit, kërcënojnë izolimin total të kësaj zone.


Alarmi për këtë zonë është dhënë rreth një vit më parë kur shpërthimet e një guroreje në një mal të kësaj zone, kanë krijuar probleme, pasi kanë prishur dhe një pjesë të asfaltit në segmentin e lartpërmendur, kurse dimri i ashpër i këtij viti e ka bërë situatën shumë serioze.


Çahet asfalti i aksit Poliçan - Çorovodë


Reshjet e dendura dhe të pandërprera të shiut kanë krijuar vështirësi në gjithë Qarkun e Beratit. Përveç izolimit të disa komunave malore në rrethin e Skraparit, të cilat po vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike, probleme shqetësuese janë krijuar me rrëshqitjen e dherave dhe rrëzimin e gurëve nga lartësitë.


Sipas informacionit më të fundit, konfirmuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat, mësohet se në aksin nacional Poliçan - Çorovodë, në shumë vende ka rreshqitje dheu dhe rrëzim gurësh, gjë që ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, por edhe rrezikimin e jetës së njerëzve që udhëtojnë në këtë aks.


Aktualisht, në Bogovë dhe në Hijen e Kakrukës, për shkak të masiveve me dhe dhe gurëve të shumtë, rruga është e kalueshme vetëm në një krah. Policia rugore përpos faktit që ka shtuar kontrollet në këtë aks, ka kërkuar edhe sensibilizimin e komunitetit për të pasur kujdes, pasi nga momenti në moment mund të ndodhin rrëshqitje të paparashikuara, nëse shiu vazhdon të bjerë me këto ritme.


Burrel, shembet rruga nacionale


Shembjet dhe rrëshqitjet në aksin naciona Burrel-Bulqizë po krijojnë probleme të vazhdueshme në qarkullimin e mjeteve në këtë aks.


Në vendin e quajtur Kthesa e Sanës tabani i rrugës për shkak të reshjeve ka devijuar të paktën 5 metra nga gjendja e mëparshme. Prej 3-4 ditësh rruga ishte e kalueshme vetëm në një kalim, madje orë pas ore ajo bllokohej totalisht, sepse sa herë këtu lëviznin mjete të tonazhit të lartë, rruga bllokohej deri atëherë kur atyre iu vinin në ndihmë mjete të tjera që i nxirrnin nga lluca dhe rruga e dëmtuar me keq se çdo herë tjetër vitet e fundit.


Edhe pse mjete dhe forca të ndërmarrjes nacionale janë përqendruar dje në këtë segment rrugor, makinat e tonazhit të rëndë të kromit nuk po mundin të qarkullojnë, pasi ndërmarrja rajonale e rrugëve nacionale dhe policia janë urdhëruar të mos lejojnë asnjë mjet të qarkullojë në këtë pjesë të dëmtuar të rrugës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›