Dëmshpërblimi për përmbytjet, 1 000 euro për familje

SHKODËR/ Kreu i komunës së Bushatit propozon mbjelljen me oriz të sipërfaqes që kërcënohet nga përmbytja
SHKODËR - Ka përfunduar verifikimi në terren i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fillimit të muajit janar në rrethin e qarkut , ndërsa po bëhet dixhitalizimi i të dhënave që do të dërgohen në Ministrinë e Brendshme.
Kjo është pohuar të mërkurën nga kryetari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi, në prani dhe të ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, dhe deputetëve të Shkodrës, Dibra e Uldedaj. Sipas Kolombit, është bërë verifikimi në terren i 4213 familjeve me grupe pune prej disa personash, me përfaqësues në këto grupe nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Bujqësisë . Sipas Kolombit, rezultati i vlerësimit të dëmeve është mesatarisht 1 000 euro për familje, ndërsa për 718 familje po plotësohen dokumentet përfundimtare.
Ministri Genc Ruli ka theksuar se rreth 40% e fondit të parashikuar për kullimin dhe mbrojtjen e tokave do të shkojë për Shkodrën duke bërë riparime pjesore të hidrovoreve, thellim kanalesh dhe ka përmendur financimin që do të bëjë qeveria për një projekt të madh për sistemin hidrik të Shkodrës, që është kompleks dhe i veçantë.
Gjatë këtij takimi kanë folur edhe drejtuesit e komunave duke evidentuar faktin e ndërhyrjeve efikase me qëllim që bujqësia dhe blegtoria, që është parësore në këto zona, të ketë përparësi në projektet e qeverisë. Në komunën e Bushatit është diskutuar subvencionimi nga shteti i mbjelljes me oriz të 800-1000 ha tokë.
Në prani dhe të ministrit Ruli, kryetari i kësaj komune, Zef Hila, ka argumentuar se mbjellja me oriz e kësaj sipërfaqeje është studiuar të bëhet në ato zona që rrezikohen nga përmbytja dhe do të ndihmohen nga investues japonezë. Kjo është tokë bujqësore e kërcënuar përherë nga përmbytja dhe subvencionimi nga shteti i fermerëve do të bënte që ato të bindeshin për ta mbjellë me oriz. Në këtë komunë janë përmbytur rreth 300 ha tokë e mbjellë me kultura bujqësore. A.Dushi