E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, kaskada e Drinit në nivele të ulëta

Rënia e kërkesës për energji ka ulur disi importin që gjatë dhjetorit ishte në shifra maksimale. Janari ka nisur me shtim të prodhimit vendas, por burime nga Korporata Elektroenergjetike bëjnë me dije se situata hidrike ende nuk është e favorshme. Të dhënat më të fundit tregojnë se niveli i liqenit të Fierzës ngelet në kuotat e dhjetorit, ndërsa rezervat e Komanit dhe Vaut të Dejës kanë rënë. Liqeni më i madh hidrik në vend, ai prej nga merr ujë Hidrocentrali i Fierzës, ngelet në kuotën 268 metra, ndërsa prurjet janë rreth 110 metër kub në sekondë. Krahasuar me dhjetorin, ka përkeqësimi të rezervave të liqenit të Komanit dhe Vaut të Dejës. Në hidrocentralin e dytë të kaskadës së Drinit niveli është 170 metra e 76 centimetra, rreth një metër më pak se në dhjetor, ndërsa prurjet janë 220 metër kub në sekondë. Në Vaun e Dejës niveli është 73 metra e 60 centimetra, ndërsa prurjet janë vetëm 80 metër kub në sekondë. Përsa i përket prodhimit, mësohet se hidrocentralet e mëdha hedhin në rrjet rreth 11 milionë kilovat orë në ditë, rreth 5 milionë më shumë se në javën e fundit të dhjetorit. Përsa i përket importit, ai varion nga 10 në 12 milionë kilovat dhe kryhet si nga KESH ashtu dhe nga ÇEZ. Zyrtarë të korporatës thonë se me përmirësimin e situatës hidrike mund të ketë dhe shtim të prodhimit vendas e rrjedhimisht ulje të importit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›