E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i motit, po ndikon nivelin e çmimeve

Vitet e fundit, ndryshimet klimaterike në vend dhe rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve në vendin tonë. Banka e Shqipërisë, duke vendosur objektivin afatmesëm për rritjen e çmimeve gjatë viteve 2012-2104, vlerëson se përmbytjet e viteve të fundit kanë krijuar mjaft probleme me prodhimin vendas dhe për rrjedhojë edhe me rritjen e çmimeve.

Inflacioni është shpesh subjekt i veprimit të faktorëve të përkohshëm, të cilët ndikojnë direkt kërkesën, prodhimin, kostot e ndërmjetme, çmimet finale apo pritjet e agjentëve ekonomikë. Të tilla goditje mund të marrin formën e efekteve negative të fatkeqësive natyrore, luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, rritje e çmimeve të energjisë dhe ujit, rritjen e taksave dhe luhatjeve të theksuara të besimit të agjentëve ekonomikë, vëren Banka e Shqipërisë.

Sipas saj, këta faktorë bëjnë që inflacioni i çmimeve të konsumit të mos jetë gjithnjë rrjedhojë e kushteve monetare dhe të mos reflektojë qëndrimin e politikës monetare. Ata godasin njëkohësisht dhe në kahe të kundërta prodhimin dhe çmimet në ekonomi. “Politika monetare do të mbetet e vëmendshme ndaj këtyre faktorëve, por reagimi i saj ndaj tyre do të orientohet nga respektimi afatmesëm i objektivit të inflacionit dhe minimizimi i luhatjeve të padëshiruara në ekonomi”, cilëson Banka e Shqipërisë në strategjinë e saj për ecurinë e çmimeve. Objektivi i inflacionit për periudhën 2012-2014 do të vazhdojë të jetë në formën e një vlere pikësore prej 3.0%, me një interval luhatjeje ± 1 pikë përqindjeje. Formulimi pikësor i objektivit i shërben orientimit të pritjeve të publikut për rritjen e çmimeve dhe përforcon angazhimin e Bankës së Shqipërisë për arritjen e këtij objektivi.

Nga ana tjetër, inflacioni është subjekt i goditjeve të paparashikuara, jashtë ndikimit të politikës monetare, të cilat kanë ndikim material por afatshkurtër mbi të.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›