E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani-Bodes: Politika e taksave në shërbim të borxhit

SHKRUAN: Blerina Hoxha 08-01-2012 13:01

Në dokumentin afatmesëm të politikës monetare Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë që të gjitha ndryshimet në taksa duhet të kenë në fokus uljen e borxhit publik

Për dy vitet në vazhdim politikat fiskale të qeverisë duhet të kenë në fokus qëndrueshmërinë e borxhit publik. Këshillën ndaj qeverisë e ka dhënë Banka e Shqipërisë në dokumentin e politikës monetare për dy vitet në vazhdim. Në këtë kontekst, Autoriteti Qendror Bankar lajmëron se, duke pasur si detyrë kryesore përmbushjen e mandatit ligjor, Banka do të përpiqet të bashkërendojë politikën e saj monetare me politikën fiskale të qeverisë. Ky bashkërendim do të synojë, në radhë të parë, rritjen e efektivitetit të politikës monetare. Banka e Shqipërisë ka lënë të kuptohet se ndryshimet e taksave që qeveria do të bëjë në periudhë afatmesme, duhet të kenë në fokus uljen e borxhit publik. Dhe në këtë kuadër të gjitha politikat e taksave duhet të bëhen transparente nga qeveria, rekomandon BSH, duke kërkuar që të njihet me këto politika para se ato të miratohen në Kuvend. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka garantuar se do të mbështesë politikën e taksave të qeverisë vetëm në rast se ato nuk bëhen shkak për rritjen e çmimeve, çka është edhe objektivi kryesor i Bankës. “Në çdo rast, Banka e Shqipërisë do të ruajë pavarësi të plotë institucionale dhe vendimet e saj do të orientohen drejt plotësimit të objektivit kryesor për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”, cilëson Banka në dokumentin e saj.

Sipas BSH-së, politika fiskale duhet të ankorohet në një rregull fiskal të qartë, të besueshëm dhe transparent. Politika e qeverisë, thekson me tej Banka, duhet të jetë në shërbim të një stabiliteti makroekonomik dhe të krijojë premisa për uljen e rreziqeve në ekonomi. Sipas Bankës, një borxh publik i qëndrueshëm rrit fleksibilitetin dhe efektivitetin e ndjekjes së politikave fiskale e monetare kundërciklike, në interes të zbutjes së luhatjeve afatshkurtra të ekonomisë. “Bashkërendimi i politikës monetare me atë fiskale do të mbështetet në shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit mbi strategjitë dhe politikat e sektorit fiskal e financiar, si dhe mbi masat fiskale me ndikim në aktivitetin ekonomik dhe në nivelin e çmimeve”, premton Banka. Sipas ligjit, Banka e Shqipërisë është edhe këshilltari ekonomik i qeverisë. Kjo do të thotë se të gjitha dokumentet e rëndësishme të qeverisë, si paketa fiskale, buxheti etj., para se të kalojnë në Kuvend, duhet të konsultohen me Bankën e Shqipërisë. Mirëpo tradita ka treguar se këto konsultime shpesh herë nuk janë kryer dhe Banka e Shqipërisë është detyruar të japë opinionin e saj në lidhje me politikat e qeverisë nëpërmjet medias. Mirëpo në kohën kur kriza ekonomike ka përfshirë vendet më të zhvilluara të Europës, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve në vendin tonë paraqet jo domosdoshmëri, por duhet bërë me urgjencë. Banka e Shqipërisë edhe më parë i ka tërhequr vëmendjen qeverisë që të jetë transparente me politikat fiskale dhe i ka kërkuar të hartojë një dokument afatmesëm ku parashihen ndryshimet e taksave. Të tilla vërejtje qeveria i ka marrë edhe nga institucione të tjera. Mirëpo në ecurinë e saj të përgjithshme politika fiskale e qeverisë shqiptare ka marrë vlerësime pozitive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Banka Botërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›