Amnistia, buxheti arkëtoi 5 milionë euro
Sipas Ministrisë së Financave, shuma e arkëtuar në buxhet, si rezultat i aplikimit të Amnistisë Fiskale, arriti në 663.7 milionë lekë, ku pjesa më e madhe prej 629.9 lekë erdhi si rezultat i arkëtimeve nga rivlerësimi i banesave të individëve
Buxheti i shtetit arkëtoi, për shkak të aplikimit të amnistisë fiskale, 5 milionë euro deri në fund të nëntorit 2011. Sipas të dhënave të thesarit nga Ministria e Financave, shuma e arkëtuar arriti në 663.7 milionë lekë, ku pjesa më e madhe prej 629.9 lekë erdhi si rezultat i arkëtimeve nga rivlerësimi i banesave të individëve. Mbi 28 milionë lekë të tjera u arkëtuan nga tatimi në burim i legalizimit të depozitave të individëve në banka dhe një pjesë e vogël, vetëm prej 2 milionë lekësh, nga rivlerësimi i pasurive të biznesit. Në fakt shoqatat e biznesit që e kërkuan aq me ngulm amnistinë fiskale nuk kanë përfituar pothuajse fare nga amnistia. Buxheti i shtetit ka arkëtuar vetëm 4 milionë lekë nga legalizimi aktivitetit të tyre, por nga ana tjetër ekonomia informale në shifra zyrtare paraqitet më shumë se 30 për qind në vendin tonë. Shoqatat e biznesit, të cilat e përshëndetën amnistinë dhe morën pjesë në hartimin e ligjit të saj, pothuajse nuk kanë treguar fare interes. E kundërta ka ndodhur me individët, të cilët kanë nxituar të deklarojnë ato pak asete, si makinat dhe banesat, duke përfituar kështu nga ligji i amnistisë, afatin e së cilës qeveria e shtyu deri në fund të muajit mars. Ndërsa sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shuma e përfituar nga falja fiskale arriti në 16 miliardë lekë. Spektri i faljes i parashikuar në ligj është 68 miliardë lekë. Mirëpo shuma e përfituar nga falja fiskale është e vogël në raport me vlerën që parashikon ligji, prej 68 miliardë lekësh ose 600 milionë euro. Më i avashëm shihet procesi i përfitimit nga falja e borxheve tatimore dhe doganore. Mirëpo Ministria e Financave pohon se interesi për të përfituar nga amnistia po vjen gjithnjë e në rritje dhe deri në përfundim të afatit të saj pritet që rezultatet të jenë më të larta. Individët kanë qenë më të interesuar për rivlerësimin, pasi kanë aplikuar më shumë se 4 mijë persona. Për borxhet deri në vitin 2008, biznesit të madh i është falur shuma 2.5 miliardë lekë, për 4 870 raste. Biznesit të vogël i është falur shuma 387 milionë lekë, për 14 860 raste; dhe individëve u janë falur 214,7 milionë lekë, për 5 317 raste. Për borxhet tatimore të vitit 2009 janë falur 2 013 raste në vlerën 70.8 milionë lekë dhe është bërë pagesa e tatimit për 39 raste në vlerën 812 mijë lekë. Ndërsa për borxhet e vitit 2010 janë falur 3 446 raste në vlerën 87.8 milionë lekë dhe është bërë pagesa e tatimit për 149 raste në vlerën 15 milionë lekë. Gjithashtu, edhe administrata doganore paraqitet me një bilanc të kënaqshëm për faljen fiskale. Në total janë falur 10.7 miliardë lekë detyrime doganore, nga të cilat kanë përfituar 1 456 biznese dhe janë paguar 18,6 milionë lekë. Për borxhet deri në vitin 2008 janë falur 10.6 miliardë lekë për 1 703 raste. Për borxhet e vitit 2009 janë falur 25.5 milionë lekë për 63 raste. Gjithashtu janë paguar 3.5 milionë lekë nga 29 subjekte. Për borxhet e vitit 2010 janë falur 97 milionë lekë për 71 subjekte, ndërsa janë paguar 15.1 milionë lekë nga 21 subjekte. Për automjetet janë zhdoganuar 1 068 të tilla, për të cilat janë paguar 220 milionë lekë, duke përfituar faljen e po kësaj shume. Nga borxhi tatimor dhe ai doganor janë rreth 14 miliardë lekë të falura deri tani.
Llogaria ekonomike Shuma
Tatim në burim për legalizimin e shumës në të holla nga individët (3%) 28 729 255
Tatim nga rivlerësimi i pasurisë së personave juridik (3%) 2 123 058
Tatim nga rivlerësimi i pasurisë së individëve (1%) 629 971 123
Penalitete kur kapitali i legalizuar e depozituar transferohet jashtë shtetit (13%) 2 969 555
Totali 663 792 992
Urdhri i Bodes
Rimbursimi i kasave: Ja si do të procedohet për 2012-n
Ministria e Financave ka miratuar disa procedura të reja për ato biznese që ende nuk kanë përfituar rimbursimin e blerjes së kasave fiskale. Ministri i Financave, Ridvan Bode, nëpërmjet një urdhri të posaçëm sqaron procedurat që duhet të ndiqen nga kjo kategori. Bizneset që nuk kanë marrë të gjithë pjesën e rimbursimit do të mund ta përfitojnë atë gjatë periudhës në vazhdim. Urdhri i Bodes parasheh rakordim të njësive të qeverisjes vendore me degët rajonale të tatim taksave, të bëhet në përputhje me kërkesat e Vendimit të Këshillit të Ministrave. Kërkesat për rimbursim dërgohen ne Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, pranë Ministrisë së Financave, e cila i administron këto kërkesa deri në përfundimin e procedurës për rimbursimin e njësive vendore, që kanë bërë kërkesë. Me marrjen në dorëzim të këtij dokumentacioni, Ministria e Financave propozon projektvendimin pranë Këshillit të Ministrave, për rimbursimin e vlerës së Taksës së Biznesit të vogël për njësitë e qeverisjes vendore, sipas vlerave përkatëse, nga zëri kontingjencë, parashikuar në buxhetin e vitit 2012. Ky fond, te njësitë e qeverisjes vendore do të kompensojë pjesën e Taksës së Biznesit të vogël, e cila ka rimbursuar pajisjen fiskale apo taksimetrin. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, të Vendimit për kompensim të njësive të qeverisjes vendore, Ministria e Financave bëjnë alokimin e fondeve për rimbursim sipas njësive të qeverisjes vendore, te Degët përkatëse të thesarit. Transferimi i fondeve do të kryhet te llogaria buxhetore përkatëse për këtë qëllim. Me hyrjen në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave për akordimin e fondeve për kompensimin e vlerës së taksës se biznesit të vogël, që ka shkuar për rimbursimin e vlerës se pajisjeve fiskale, Drejtoria e Përgjithshme e buxhetit kryen çeljen e fondeve.