E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet përmirësojnë prurjet në hidrocentrale

TIRANE-Reshjet e shumta të shënuara gjatë këtyre ditëve kanë përmirësuar situatën në hidrocentralet në kaskadën e Drinit, megjithëse kuotat mbeten ende nën mesataren historike dhe prodhimi vendas i energjisë mbahet ende në nivele të ulta. Prurje të konsiderueshme janë regjistruar në fundjavë në Hidrocentralin e Fierzës, ku si rezultat i reshjeve të ditëve të fundit, kuota e liqenit të këtij hidrocentrali, nga 259 metra që ishte gjatë javës së kaluar, tashmë është rritur në 265 metra. Edhe pse ka një rritje prej 6 metrash në nivelin e liqenit, sërish kuota mbetet e ulët, duke bërë që aktiviteti i prodhimit të energjisë elektrike në këtë hidrocentral të mbahet i pezulluar që prej rreth dy javësh. 

Ndërkohë mësohet se në të kundërt, dy hidrocentralet e tjerë të kaskadës së Drinit, ai Vaut të Dejës dhe ai Komanit, aktualisht punojnë me kapacitet të plotë. Nga informacionet më të fundit të marra pranë hidrocentralit të Vaut të Dejës, në rrethin e Shkodrës, mësohet se gjatë ditës së djeshme, ritmi i reshjeve të shiut ka bërë që prurjet e depozituara nga zonat malore, fillimisht nga 200 metra kub në sekondë, janë shtuar më pas deri në mbi 300 metër kub në. Kjo ka bërë që në Hidrocentralin e Vaut të Dejës kuota, e cila varion nga 73.60 në 74 metër, të konsiderohet normale, duke mundësuar shfrytëzimin e kapacitetit të plotë prodhues të këtij hidrocentrali. Situatë në përmirësim konstatohet edhe në Hidrocentralin e Komanit, ku sipas informacioneve të djeshme, prurjet në liqenin e hidrocentralit shënojnë 900 metra kub në sekondë, duke bërë të mundur që edhe HC i Komanit të jetë në gjendje pune për prodhimin e energjisë elektrike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›