E Shtunë, 31 Tetor 2026

Respekt

I nderuar z. Kiço

Në shkrimin tuaj “Nderim dhe keqardhje për brezin tim”, publikuar në “Gazeta Shqiptare” prekni një temë që ju lëndon drejtpërsëdrejti, por që tregon e denoncon një sëmundje të pashërueshme që kemi e që na mundon të gjithëve në mënyrë transversale. E shoh prej vitesh vendin tim si një pemë ku degët e reja shkulin e dëmtojnë rrënjët pa një kriter, dallim, seleksionim, vlerësim duke sjellë atë anemi të përgjithshme e të rëndë të trungut. Personalisht kam reflektuar gjatë mbi brezin tuaj, mbi brezin e babait tim, një brez që kaloi jetën kërrusur mbi libra të Shekspirit, Gëtes, Majakovskit apo Kadaresë dhe mbrëmjet mbi fushën e shahut, por edhe ashtu siç shkruani ju, në çdo cep të Shqipërisë, aty ku kishte nevojë Atdheu duke kontribuar në elektrifikim, në shkollim, në bujqësi. Personalisht ndiej nderim, dhembshuri, keqardhje, respekt, por edhe revoltë ndaj brezit tuaj, sepse nuk patët shumë kurajë. Sot mendoj se nuk ka mbinjerëz, por njerëz të vegjël që krijojnë iluzione rreth njerëzve të mëdhenj. Do të preferoja që intelektualët të shkonin në burg duke thënë “Poshtë Enver Hoxha!”, sa duke dëgjuar vjedhurazi këngë të Albanos apo duke lexuar ndonjë libër të ndaluar. Do të doja që intelektualët t’ia bënin të ditur diktatorëve tmerrin, varfërinë, mungesën e lirisë dhe të mendimit Diktatorit Enver Hoxha, por dhe bashkëshortes së tij, Nexhmije, e cila sot e kësaj dite ngre supet e habitur se ç’të keqe u kanë bërë njerëzve. Ndoshta bashkëshortja e diktatorit ka të drejtë, sepse askush nuk ua ka bërë realisht e forcërisht të ditur, madje dhe në vdekjen e Hoxhës u thurën poezi me lot. E megjithatë, kjo revoltë nuk më çliron sot nga një revoltë edhe më e madhe: Ajo ndaj brezit tim. Është shumë më e pandershme të jesh servil, i nënshtruar, i korruptuar në Demokraci. Është shumë më e turpshme të krijosh sot Diktatorë me emrin Demokratë e të shesësh vendin tënd në emër të ekonomisë së tregut e kapitalizmit. Nëse brezi juaj nuk pati kurajën të mos krijojë e të rrëzojë një Enver Hoxha, brezi im nuk ka kurajën të pengojë krijimin e enverëve të tjerë në Demokraci, por më e rënda, të pengojë degradimin etik e moral të shtetit. Po ç’është në të vërtetë kjo që po ndodh sot? A mund ta mohojmë se po korrim atë që mbollëm? A jemi ne sot me çekiç e sqepar në dorë siç ju ishit ndaj të kaluarës? Çka na mungon përgjithësisht është respekti, por që të respektosh të tjerët duhet pikësëpari të ndjesh respekt për veten. A jemi edukuar ne me këtë? Me shkrimin tuaj në “Gazeta Shqiptare” hidhni një ide për një fillim respekti. Nëse nuk e kemi bërë deri tani, duhet të ketë një pikënisje, ndryshe, do të vazhdojmë të jemi një komb ku degët e reja hanë, shkulin rrënjët, duke na dënuar me këtë anemi permanente.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›