Respektoni Kushtetutën e Kosovës
Kosova gjendet në një udhëkryq politik midis kërkesave legjitime të institucioneve të saj demokratike të pavarura për përgjegjshmëri në rritje dhe atyre për “autonomi të reduktuar” që ofron plani prej 6 pikash i kreut të OKB-së, Ban Ki Mun dhe që përkrahet nga Beogradi, pasi ky plan parashikon një forcë policore autonome për zonat e populluara nga shumicë serbe dhe mostransferimin e të ardhurave nga doganat e këtyre zonave tek qeveria e Kosovës. Kjo nënkupton një ndarje “de fakto” të Kosovës, pasi shkel dhe injoron dokumentin e Ahtisarit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe institucionet e Kosovës në tërësi. Me miratimin e Kushtetutës së Kosovës në këtë shtet të ri evropian ekziston një sistem qeverisjeje demokratike në të cilin ekzekutivi politik ka të drejtë të qeverisë në bazë të mandatit të popullit të shprehur në zgjedhje demokratike në të gjithë territorin politik dhe administrativ të Kosovës, pa dallime etnike apo nacionale. Monitorimi teknik dhe këshillimor i misionit EULEX është pranuar nga institucionet e Kosovës për të trajtuar dhe nxitur nëpunësit civilë të trajnuar të jenë sa më të pavarur në kryerjen e rolit të tyre administrativ dhe për të çuar më përpara nocionin e legjitimitetit politik e administrativ. Nën drejtimin e Kryeministrit Thaçi dhe Presidentit Sejdiu Kosova po përjeton një ripërtëritje burokratike të administratës publike që synon të vendosë baza ligjshmërie për një sistem të fortë administrativ, që të qeverisë nëpërmjet përpjekjeve të ndryshme për ngritjen institucionale dhe të komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Politikat e qeverisë janë për ngritjen institucionale të bashkëjetesës dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Politikat e qeverisë ndihmuan për të ngulitur ndjenjën e përkatësisë komunitare dhe të identitetit, duke vendosur një lloj komunikimi politik të dyanshëm. Burokracia shtetërore në përgjithësi po përjetohet për t’i nënshtruar dhe ndryshuar politikat sociale si dhe për të forcuar kapacitetin e sistemit politik përmes përtëritjes institucionale dhe ndërhyrjeve proaktive në politikë, drejt një forme më përfshirëse të aparatit shtetëror kolegjial. Duke vazhduar përpjekjet për zhvillimin institucional dhe forcimin e komuniteteve, pa shfaqur asnjë shenjë diskriminimi, periudha politike e tranzicionit që pasoi deklaratën e pavarësisë ka përjetuar ndryshime të rëndësishme në aspektet politike e institucionale. Këtu përfshihen nxitjet e reformave për rritjen e përgjithshmërisë në përputhje me programet qeveritare, duke iniciuar reforma në sektorin publik dhe të menaxhimit publik. Përpjekjet për të vendosur njëfarë përgjegjshmërie politike renditen me iniciativat e mëtejshme për të rivlerësuar integritetin. Edhe pse është vonuar dislokimi i EULEX-it, institucionet e Kosovës kanë qenë të interesuara për të mbajtur kontrollin ekzekutiv, për t’u përgjigjur përpara pushtetit ligjvënës dhe për të çuar përpara demokracinë. Plani i ri i OKB-së në mënyrë të papritur dhe të dyshimtë synon të bllokojë këtë proces, duke mos respektuar institucionet demokratike të themeluara në vend. Në këto momente BE-ja duhet të ndërhyjë fort për të arritur një zgjidhje kompromisi. Institucionet në Kosovë janë të bindura që me EULEX-in duhet të ndahet përgjegjësia e qeverisjes, por vetëm duke respektuar mandatin, të paraparë me deklaratën e pavarësisë. Ndryshe, Evropa duhet të pranojë edhe një herë zyrtarisht se ka dështuar plotësisht me politikat e saj në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Çdo zgjidhje që nëpërkëmb Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë është e papranueshme për shqiptarët, po edhe për stabilitetin e rajonit. Insistimi për të zbatuar planin gjashtëpikësh të OKB-së do ta përkeqësonte situatën dhe të përforconte ndikimin e ekstremistëve nga të gjitha palët. Pavarësia e Kosovës tashmë është mbështetur nga shumica e vendeve demokratike jo vetëm të Evropës, por edhe të botës dhe do të ishte e pafalshme që vetë OKB-ja të provokonte destabilitet dhe tensione si institucioni më i lartë ndërkombëtar i interesuar për paqe, siguri dhe stabilitet. Plani i OKB-së duhet të respektojë propozimin katërpikësh të Kosovës, pasi OKB-ja do të konfondonte, në rast të kundërt, vetë misionin e saj. Të plotësosh pretendimet serbe do të thotë të flakësh mënjane gjithë përpjekjet dhe luftën e deritanishme të diplomacisë ndërkombëtare. Gjithçka është përgatitur në planin e Ahtisarit për të mbrojtur serbët e Kosovës, përfshire edhe praninë ndërkombëtare, civilë e ushtarakë, si dhe mbrojtjen e të drejtave të etnive. Treni i Kosovës tashmë është nisur dhe askush nuk mund të kthejë mbrapa. Kosova duhet lejuar të shohë nga e ardhmja, pasi ndryshe do të vonoheshin integrimet jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi dhe gjithë rajonin. Ritheksojmë se rasti i Kosovës është i veçantë. Askund tjetër nuk ka ndërhyre NATO-ja për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të larguar një forcë pushtuese, që përdorte çdo mjet për të dëbuar popullsinë nga një zonë gjeografike, askund tjetër NATO-ja nuk ka marrë përsipër qeverisjen si në Kosovë, duke e çuar drejt statusit përfundimtar të saj, pavarësisë. Prandaj sjellja aktuale e Ban Ki Munit mbart shumë enigma dhe dritëhije dhe mund të shërbeje si precedent i dëmshëm për një sërë konfliktesh të reja dhe të paparashikuara. Karta e të Drejtave të Njeriut, mbi të cilën ngrihet gjithë misioni i OKB-së, përfshihet edhe në Kushtetutën e Kosovës, prandaj kjo Kushtetutë duhet respektuar, nëse pretendohet për një shtet të ri e demokratik, me demokraci dhe legjitimitet të pranueshëm nga të gjithë.
*Kryetar i PBKD-së
*Kryetar i PBKD-së