Kreditë e këqija - zhurma për asgjë
Një mik po më tregonte se si dje kishte shkuar në shtëpi dhe kishte gjetur gruan të alarmuar. “Aman burrë, ato pak kacidhe kursime për kalamajtë t’i tërheqim nga banka, se po bëhet kiameti. E dëgjove, bankat qenkan të mbushura me kredi të këqija dhe me siguri do të falimentojnë!” Miku e kishte përmbajtur me shumë zor gruan e tij që të mos shkonin menjëherë bashkë në bankë të tërhiqnin kursimet, megjithatë edhe atij i kishte hyrë shqetësimi. Kunata nga Amerika i shkruante përditë e-mail-e duke treguar se sa filan e fistek kompani gjigande po pushonin me dhjetëra mijëra punonjës nga puna; se si kursimet e gati gjithë shtresës së mesme amerikane ishin zhvlerësuar tri herë; se si tregu i shtëpive ishte bllokuar, ngaqë bankat nuk jepnin më kredi. Dhe pastaj e pyeste: “Si s’po pësojnë gjë bankat aty tek ju?!” Për emigrantët tanë, sidomos ata në Amerikë dhe Kanada, që janë shumë larg realitetit të sotëm shqiptar, madje evropian, është gati e pabesueshme që kriza e madhe financiare që po shkund Amerikën, ende nuk po shfaq shenjat e para domethënëse edhe këtu tek ne. Sigurisht që ndikimi i saj do të ndihet, por në formën e eksporteve më të pakta dhe të ardhurave nga emigracioni më të rrudhura. Sistemi ynë bankar bazohet tek aktiviteti ndërtues, prodhues dhe i shërbimeve në vend, aktivitet që është në rritje. Për sa kohë bankat në Shqipëri nuk hyjnë në shitje-blerje të tregut dytësor (fat që s’kemi bursë!), për sa kohë ato nuk investojnë depozitat e shqiptarëve në blerje kapitalesh me pjesëmarrje në kompani ndërkombëtare të stërmëdha, ato janë pak ose aspak të ekspozuara nga rrënimi i tregut amerikan të shtëpive apo nga vështirësitë e mëdha të bankave investuese në disa vende të Evropës Perëndimore. Po ashtu, bankat mëma të filialeve bija në Shqipëri, si Reiffeisen në Austri, Intesa Sanpaolo në Itali apo bankat greke janë deri tani pa probleme, ngaqë kanë kryesisht aktivitet kreditor, dhe jo investimesh në bursat ndërkombëtare. Ndërsa për sa i përket aktivitetit të brendshëm të kreditimit, duhet thënë se sasia e kredive të këqija në tërësinë e kredive që kanë dhënë bankat deri tani në Shqipëri është më pak se tre për qind e tyre. Pra, një shifër gati e papërfillshme. Më e ulëta në rajon. Maqedonia, fqinji ynë aq i ngjashëm me ne për nga fuqia ekonomike dhe të ardhurat, e ka dyfishin tonë këtë shifër. Dhe megjithatë, nuk është se ka ngritur ndonjë alarm apo “SOS!” për këtë punë. Është sikur të kesh të ardhura në familje gjysmë milioni lekë në muaj dhe fqinji i varfër të të ketë borxh tre për qind të tyre, pra pesëmbëdhjetë mijë lekë të vjetra. E sa rrezikohesh ti, pse ai nuk është në gjendje të të kthejë këtë borxh? Pikërisht në mënyrë të njëjtë, duke mos i marrë këto para të kredive të këqija, bankat nuk kanë asnjë rrezik për të falimentuar. Madje as edhe ndonjë vështirësi serioze në punën e tyre të kreditimit. Sigurisht që kreditë e këqija në sasi janë rritur, duke qenë se afro tri herë më tepër është rritur vetë paraja hua e dhënë nga bankat. Me fjalë të tjera, nëse në vitin 2006 kishin marrë kredi 20 mijë individë apo biznese, në fund të vitit 2007 kanë marrë para hua 39 mijë individë apo biznese. Pra, kuptohet që me këtë progresion numri i atyre që kanë vështirësi për t’i kthyer paratë bankave rritet. Por kjo s’do të thotë se po ndodh apokalipsi, se do falimentojnë apo mbyllin sportelet bankat në Shqipëri! Në të kundërt, sistemi ynë bankar është i shëndoshë, kapitalet e bankave në rritje dhe nuk ka ende shenja të prekjes nga kriza e përgjithshme financiare. Megjithatë, kujdesi nuk është asnjëherë i tepërt. Bankat e nivelit të dytë, pra ato tregtare, duhet të mbahen rreptësisht nën kontroll nga ana e bankës sonë qendrore (Banka e Shqipërisë) dhe duhen rritur përpjekjet për të nxitur bankat të japin kredi në lekë, në mënyrë që sistemi i kreditit të mos goditet nga luhatjet e forta të euros apo dollarit në tregjet ndërkombëtare. Me bankat gjithashtu mund të punohet që ato të mos aplikojnë ato tarifa shërbimesh e interesa kredish gati monopoliste. Por sa për kreditë e këqija, duhet t’i qajmë hallin gomarit që i varen veshët. Ato përbëjnë realisht një zhurmë pa bazë.