E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngrihet grup pune për Juridikun, mësimi zhvendoset në shkollën “Migjeni”

Duket se problemi i Fakultetit të Drejtësisë do të marrë fund, për sa i përket pezullimit të mësimdhënies. Dje, Ministria e Arsimit njoftoi se i ka kërkuar Ministrisë së Punëve Publike ngritjen e një grupi ekspertësh, të cilët do të gjykojnë nëse ndërtesa ku strehohet fakulteti përbën apo jo rrezik shembjeje. Ndërkohë, Drejtoria Arsimore Rajonale e Qytetit të Tiranës i ka kaluar Universitetit të Tiranës shkollën “Migjeni”, për të zhvilluar mësimin periudhën deri sa të merret vendimi mbi Fakultetin e Drejtësisë.

Grupi i Punës

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se problemi i pezullimit të mësimit në Fakultetin të Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës do të marrë një zgjidhje të shpejtë”, – premtoi Ministria e Arsimit, duke deklaruar se tashmë është ngritur grupi i punës, për të përcaktuar dëmin e krijuar në godinë. Sipas ministrisë, ky grup ekspertësh do të kontrollojë menjëherë ndërtesën, duke përcaktuar masën e dëmit. “MASH, ka kërkuar ngritjen e një grupi të ri ekspertësh në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të cilët së bashku me përfaqësuesit e MASH dhe Universitetit të Tiranës do të angazhohen menjëherë për të saktësuar veprimet e nevojshme, që zhvillimi i mësimit në godinën e Fakultetit të Drejtësisë të jetë i garantuar”, – njoftoi dje zyra e shtypit e Ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë menjëherë reagoi edhe rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, i cili e përshëndeti vendimin. “Ka pasur një angazhim të ministrit të Arsimit dhe të Kryeministrit për të rregulluar gjendjen. Vendimi për të ngritur grupin e punës do t’i japë fund problemit të mësimdhënies në Fakultetin e Drejtësisë”, – deklaroi për “standard” rektori Kule.

Shkolla “Migjeni”

Sakaq, deri sa të merret një vendim për fatin e Fakultetit të Drejtësisë dhe për mënyrën se si do të mund të riparohet dëmi i bërë nga shtesa e Fakultetit të Shkencave Sociale, që i mbivendoset Fakultetit të Drejtësisë, mësimi do të kryhet rregullisht në shkollën “Migjeni” të vënë në dispozicion nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës.

“Ndërkohë, Drejtoria Arsimore e Tiranës do të vërë në dispozicion të Universitetit të Tiranës për fakultetin përkatës, shkollën “Migjeni” te “Rruga e Fortuzit”, për aq kohë sa të kryhen të gjitha kërkesat që do të përcaktojë grupi i ekspertëve”, – bëri të ditur zyra e shtypit të Ministrisë së Arsimit. Kati i tretë i godinës së përbashkët të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Drejtësisë është ndërtuar në vitin 2004, dhe prej asaj kohe janë vërejtur problemet e para. Në vitin 2006, plasaritjet mbushën të gjitha muret e katit të parë të Fakultetit të Drejtësisë. Dy muaj më parë, Universiteti i Tiranës paditi në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, firmën ndërtuese “Koli” sh.p.k., por vetëm dje është marrë vendimi për të dërguar specialistë për verifikimin e dëmit. Sakaq, të premten është marrë vendimi për pezullimin e studimeve, derisa të verifikohet, nëse ekziston apo jo rreziku i shembjes së godinës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›