Rrahën dy vëllezër, Totozani: Ndjekje penale pesë gardianëve
TIRANE – Avokati i Popullit i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës të fillojë menjëherë hetimet për katër efektiva të Policisë së Burgut 313, të cilët dyshohet se kanë dhunuar dy persona që mbahen në këtë burg. Igli Totozani, në një rekomandim të dërguar në Prokurorinë e Tiranës, konsideron se është flagrante ajo që ka ndodhur me dy shtetasit me iniciale A.Gj. dhe P.Gj., vëllezër mes tyre. Bazuar në ankesën e nënës së dy personave, Avokati i Popullit ka nisur verifikimet e rastit dhe në bazë të hetimit paraprak të kryer, rezulton se ndaj dy vëllezërve është ushtruar dhunë. Shtetasi me iniciale P.GJ. është dhunuar në kohën kur transportohej për në spital te mjeku, ndërsa vëllai i tij, A.Gj., është dhunuar gjatë mbajtjes së tij në birucë nga pesë efektiva të Burgut 313 në Tiranë. Trajtimi i të dy të arrestuarve nga punonjësit e Policisë është çnjerëzor. Nga përmbajtja ky veprim është kriminal, sepse nga punonjësit e Policisë janë konsumuar elementet e veprës penale të torturës dhe për këtë arsye ajo duhet ndëshkuar rëndë, thuhet në rekomandimin e Totozanit për ndjekje penale ndaj efektivave të Policisë së Burgut 313. Sipas kallëzimit, dhuna ndaj të arrestuarit me iniciale P.Gj. është bërë me qëllim ndëshkimin e tij për shkak të dyshimeve që ata kishin ndaj tij për simulim si i sëmurë. Ndërsa ndëshkimi i të arrestuarit A.Gj. është bërë për shkak të fyerjeve që ai ka bërë ndaj personelit të paraburgimit. Avokati i Popullit është vënë në lëvizje nga ankesa e të afërmve të dy djemve dhe më pas ka ngritur një grup pune që ka hetuar rastin. Në përfundim të hetimeve i është bërë rekomandim Prokurorisë për fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të punonjësve të Policisë së Burgjeve efektivë të I.E.V.P. Jordan Misja Tiranë, me iniciale A.S., A.I., Sh.M., M.Sh. dhe A.A., për veprën penale të torturës e kryer në bashkëpunim. Vetëm pak javë më parë, Gjykata e Tiranës dha dënime me burg e më pas e pezulloi këtë masë ndaj dy policëve të rendit në kryeqytet. Ata akuzoheshin se kishin ushtruar dhunë gjatë ndalimit dhe shoqërimit të një të riu në Selitë të Tiranës në dhjetor 2009. I riu i dhunuar ishte akuzuar për kundërshtim të policisë. Në shenjë hakmarrjeje, oficerët e Policisë u akuzuan se e kishin keqtrajtuar atë.