Aksidentohet në autostradë ambasadori i Serbisë
TIRANE – Makina me targa diplomatike, me të cilën udhëtonte ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç, u përfshi në një aksident pasditen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Ngjarja ndodhi në kohën kur ambasadori i Serbisë po kthehej nga Durrësi në drejtim të Tiranës. Automjeti i Ambasadës Serbe u përplas në lëvizje nga një makinë me targa Laçi, e cila vazhdoi rrugën duke ikur me shpejtësi nga vendngjarja në drejtim të Tiranës. Burime nga Policia thanë se makina me targa CD, drejtohej nga shoferi i Ambasadës dhe brenda saj ishte dhe ambasadori Miroljub Zariç, si dhe përkthyesi i rezidencës diplomatike. Nga aksidenti nuk ka pasur asnjë të plagosur, megjithatë policia është vënë në ndjekje të makinës me targa të Laçit, targa e plotë e së cilës ende nuk është zbuluar. Aksidenti ndodhi rreth dy kilometra pasi kalon mbikalimin e Rinasit, në drejtim të Tiranës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se makina diplomatike është përplasur nga mjeti tjetër në momentin që është futur në parakalim. Ende nuk dihet nëse makina me targa Laçi i ka prerë rrugën aksidentalisht apo qëllimisht mjetit ku ndodhej ambasadori serb Zariç, por menjëherë pas përplasjes, automjeti është larguar duke shtuar shpejtësinë në drejtim të Tiranës. Policia Rrugore, e Rendit, si dhe një autoambulancë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Mësohet se ambasadori, drejtuesi dhe përkthyesi nuk kanë pësuar dëmtime nga përplasja dhe nuk ka qenë e nevojshme ndihma mjekësore. Ndërsa në vendngjarje janë bërë matjet e nevojshme nga ekspertët e Qarkullimit Rrugor për të përcaktuar shkaqet e vërteta të aksidentit. Përkthyesi i Ambasadës Serbe në Tiranë ka njoftuar në sallën operative të Policisë së kryeqytetit rreth orës 17:00, duke denoncuar se makina me të cilën udhëtonte ambasadori i Serbisë, Miroljub Zariç, ishte përfshirë në një aksident automobilistik. Përkthyesi ka shpjeguar se në makinë ndodhej bashkë me ambasadorin Zariç dhe drejtuesin e mjetit, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ishte plagosur. Ai ka njoftuar gjithashtu se automjetit që i përplasi nuk ka arritur ti fiksojë targën, por vetëm ka parë që kishte targë të Laçit. Sipas deklarimeve të përkthyesit, në momentin e aksidentit ata po ktheheshin nga qyteti i Durrësit, ku kanë qenë për një drekë dhe po shkonin drejt rezidencës diplomatike. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe për disa minuta është bllokuar trafiku në autostradë, në kahun e lëvizjes Durrës-Tiranë, pasi janë bërë matjet dhe këqyrja e vendit të ngjarjes. Nëpërmjet kamerave të instaluara në autostradë ka nisur verifikimi për identifikimin e mjetit që shkaktoi aksidentin. e.d