Restelica e barrikaduar

Bora sivjet është treguar paqësore me banorët e Restelicës. Më e butë, më e qetë. Krejt ndryshe nga e vjetshmja, që u kishte marrë jetën dhjetë anëtarëve të familjes Reka të këtij fshati.
Pavarësisht kësaj butësie, banorët presin në çdo moment që t’i nxjerrë kthetrat, por pa pasur mundësi të shkaktojë tragjedi. Ata kanë ngre “barrikada” për të mos lejuar të jetë vrastare.
Imami i fshatit, Shaban Haxhi, është vënë në ballë të frontit për mbrojtjen e fshatit nga ndonjë ortek. Përveç punës në terren bënë dua të mos përsëritet tragjedia, nga e cila shpëtoi vetëm vajza Amsera.
Ajo aktualisht jeton në Itali me gjyshin e saj. Atë e ka më të afërmin. Të tjerët i kanë vdekur.
“Jeta në Restelicë po stabilizohet, megjithëse jemi të vetëdijshëm se ka ndodhur tragjedi e madhe”, thotë për “Kohën Ditore”, Hoxha i fshatit me një mijë e katërqind shtëpi të ndërtuara faqeve të pjerrëta në lartësi mbidetare mbi 1.200 metra.“Një kohë të gjatë kemi pritur ndonjë ndihmë prej shtetit. Ndihmat kanë ardhur, por kur i krahasojmë me tragjedinë që ka ndodhur, ato ndihma kurrgjë nuk janë”, thotë ai.
Fshati Restelicë është i fundit në Komunën e Sharrit. Kufizohet me Maqedoninë dhe Shqipërinë./Indeksonline/