Togu i nostalgjisë

Përfundimi i luftës në vitin 1999 nuk ua hoqi uniformat. Edhe pas trembëdhjetë vjetësh e bartin atë me shumë krenari. Uniformat e zeza, me kapelë të kuqe që mban logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të vetmet që ua kujtojnë momentet më të mira të jetës ë tyre.
I veshin sa herë që ka nevojë. Pa armë në brez, por në mënyrë simbolike ata nderojnë çdo aktivitet që lidhet me luftën. Së fundi ata me këtë veshje u paraqitën në qendër të Prishtinës.
Nderuan ardhjen e ish-kryeministrit të Kosovës nga Haga, Ramush Haradinaj.
Baki Ejupi është njëri prej 22 anëtarëve nga Podujeva që në vitin 2008 themeluan këtë grup që, siç e quajnë ata, është Togu Ceremonial i UÇK-së.
Bakiut bashkë me shokët e tij të luftës iu deshën së paku dy vite për të themeluar grupin.
Togu është legal, meqë, sipas themeluesve të tyre, ai është formuar me një vendim të marrë nga Këshilli Organizativ i OVL-UÇK në Prishtinë.
E për të qenë pjesë e këtij grupi, Ejupi thotë se kushti kryesor ka qenë që një pjesëtar i Togut është dashur që së paku t’i ketë më shumë se gjashtë muaj ushtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Të gjithë këta djem nga Podujeva janë veteranë të luftës së fundit. Pak nga ta janë të inkuadruar si pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. E të tjerët punojnë punë të ndryshme në institucione private, por ka të tillë që nuk punojnë fare.
Të gjitha aktivitetet që bëjnë në tërë fshatrat e qytetet e Kosovës sa herë që ka nevojë, i bëjnë pa i ndihmuar askush , rrallëherë ndokush prej vullnetit të mirë ua heq shpenzimet e derivateve.
Po, pse është formuar ky tog i UÇK-së?
“Ky tog është formuar se kemi parë se nëpër ceremoni siç ishte ardhja e gjeneral Ramush Haradinajt apo në ndonjë ceremoni përkujtimore ka nevojë që të marrë pjesë një tog i tillë”, thotë Baki Ejupi, njëri nga themeluesit e Togut.
Ai ka shpjeguar se për t’u mbledhur Togu, pjesëtarët e tij duhet të jenë të informuar një ditë më herët dhe se lajmin për mbledhjen e tyre për të nderuar ndonjë ceremoni e marrin nga dega qendrore në Prishtinë e OVL të UÇK-së.
“Një ditë përpara njoftohemi nga Prishtina në degën e veteranëve këtu në Podujevë për vendin dhe orën se ku duhet të shkojmë të nderojmë. Mblidhemi të gjithë, veshim uniformat dhe vazhdojmë drejt vendit ku është caktuar të mbahet aktiviteti”, thotë ai.
Këta veteranë të luftës shumicën e kohës udhëtojnë nëpër qytete e fshatra të Kosovës me një kombibus, pronë e një shoku të tyre, që shumicën e rasteve i dërgon me shpenzime të tij për të nderuar në ndonjë ceremoni.
E ndonjëherë ky grup i djemve të Podujevës ka edhe probleme për t`u mbledhur, meqë disa prej tyre punojnë në puna të ndryshme.
Po, edhe këtë problem ata e zgjidhin shumë thjesht.
“Po, ndonjë shok kur është në punë e zëvendësojmë me ndonjë tjetër që i bën uniforma dhe çizmet”, thotë Kosum Kosumi, një tjetër pjesëtar togu.
Po si nderojnë këta djem?
“Prej momentit kur organizohet Togu Ceremonial, vijmë këtu në zyre të OVL UCK në mënyrë të organizuar shkojmë në vend të ngjarjes. Vendosemi në pozitën qetësohu. Kur vjen puna te programi për me bo nderim, rrimë me qëndrimin gatitu dhe përshëndetemi me dorë në kokë e më pas vendosim kurora lulesh”, thotë Kosumi.
Pjesëtarët e Togut thonë se në ndonjë ceremoni mortore të ndonjë bashkëluftëtari të tyre ose veterani lufte, familja e të ndjerit ndien krenari dhe dhimbje kur shohin Togun e UCK në ceremoni. “ Ne marrim kufomën, të mbështjellë me flamurin kuq e zi. E mbështjellim flamurin dhe i dhurojmë ndonjërit prej anëtarëve të familjes”, thonë ata.
E në rast se ata takohen me Gardën e FSK, thonë se nuk e kanë asnjë problem.
“Garda e FSK ka sistem tjetër të punës, ne kemi sistem tjetër. Ne me lirimin e Ramushit kemi marrë pjesë në protokoll shtetëror, ne jemi veteranë, qysh dalim nuk ka lidhje a jemi të rruar a të qethur a përshëndetemi me dorë ose me gusht, nuk ka fort lidhje”, thonë ata.
E qytetarët e Kosovës kur kanë parë për herë të parë këta pjesëtarë të veshur në uniformë janë habitur.
Shumica nga ta kanë mbetur gojëhapur duke pyetur se kush janë tash këta djem të uniformuar.
“Rasti i fundit na ka ndodhur interesant kur u lirua Haradinaj. Prej shtatores së Zahir Pajazitit deri në qendër kemi bërë një orë, derisa kemi shkuar sepse njerëzit kureshtarë na pyesnin se kush jemi ne dhe çka bëjmë. Kemi pas një rast ku na kanë thënë ‘ju ende jeni gjallë’, u thamë ‘ne jemi gjallë dhe nuk vdesim kurrë’. Kemi pas shumë pritje të mirë, na shohin me një sy sikur qysh na kanë parë në luftë”, thonë këta veteranë.
Togu, sipas tyre, do të ketë jetë deri në frymën e fundit të pjesëtarëve të saj.
Anëtarët e Togut:
Kosum Kosumi, kamandant togu
Baki Ejupi, zv/komandant
Nistret Berisha
Fadil Voli
Sevdaim Behrami
Remzi Haxha
Florim Statovci
Ilmi Maloku
Nexhat Aliu
Përparim Curri
Shaban Ajeti