Lagështira, kopshtet dhe çerdhet drejt amortizimit
Amortizimi i përgjithshëm i një numri të konsiderueshëm kopshtesh në kryeqytet ka arritur në pikën që të merren vendimet për mbylljen e tyre. Më shqetësuese gjendja paraqitet në çerdhen Nr.11, kopshtet nr.3, 29, 35, 40, 17, dhe 24, 9. Para marrjes së vendimit të mbylljes për këto institucione të arsimit parauniversitar, krahas kontrollit të herëpashershëm higjieno-sanitar, në bashkëpunim dhe me laboratorin toksikologjik të Drejtorisë së Higjienës janë kryer edhe matjet për indekset lagështirë, temperaturë, korrente ajri dhe ndriçimi. Nga analizat ka rezultuar se vlerat e këtyre indekseve, veçanërisht lagështira janë mbi normat e lejuara. Për të gjitha këto raste është kërkuar marrja e masave për përmirësimin e gjendjes, nëpërmjet procesverbaleve përkatëse, në mënyrë të tillë që në nisje të shtatorit të jenë të gatshme për të pritur fëmijët. Drejtoria e Higjienës thekson se këtë vit masat do të jenë më të rrepta dhe se nuk do të tolerohen punimet pa cilësi, siç ka ndodhur në shumë prej tyre gjatë vitit të shkuar.