E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Resulaj: Aplikimi për statusin “Investitor Strategjik” deri në fund të 2026-ës

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Pranvera Resulaj ka prezantuar sot në Kuvend, nismën për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 55/2015 për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë. Ligji bashkë me 10 VKM të tjera, sipas Resulajt, u konceptua si një paketë ligjore pilot, me qëllim nxitjen e investimeve në sektorët e konsideruar strategjikë.

“Nga viti 2016 deri më sot janë trajtuar nga AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve) 117 projekte investimi, një pjesë e tyre janë miratuar, refuzuar dhe një pjesë në proces. Vlera e parashikuar nga këto investime parashikohet të shkojë në 6.2 miliardë euro dhe të ketë rreth 30 mijë punonjës. Duke parë këtë interes të shtuar në sektorët më strategjikë dhe më prioritarë të përcaktuar për ekonominë shqiptarë është vënë re edhe një mangësi në zbatimin e ligjit, nga eksperienca tetëvjeçare që i ka trajtuar këto projekte,” u shpreh ajo.

Deputetja Resulaj tha se nisma vjen për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për ta bërë këtë ligj më të zbatueshëm.

“Propozoj zgjatjen e afatit deri në 30 dhjetor 2026, pasi kjo situatë ka ndodhur sepse nuk ka pasur një ligj të integruar të investimeve të huaja direkte dhe atyre strategjike. Një prej rekomandimeve që vjen nga BE-ja, sipas Planit të Rritjes deri në vitin 2027 nuk duhet të kemi projekte apo ligje me diferencime dhe statuse të veçanta, duke bërë të mundur që të unfikohen në një ligj të vetëm”.

Sipas Resulajt, “nisma konsiston në përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues dhe ligji parashikon një klasifikim të gjashtë sektorëve strategjikë: sektori energjetik dhe minerar, transport infrastrukturë, turizëm, bujqësi dhe peshkim, zhvillimi i zonave teknologjike dhe atyre me përparësi zhvillimi”.

“Ka pasur interes të lartë në aplikimet për përfitim të statusit investitor strategjik nga subjekte me projekte që nuk i përkasin kësaj liste në ligjin aktual. Statusin investitor strategjik, procedurë e përshpejtuar, e përfitojnë edhe projektet që pavarësisht se nuk janë pjesë e listës së sektorëve prioritarë, kanë si kriter vlerën e kapitalit më të madh se 50 milionë euro”, theksoi ajo.

Deputetja socialiste tha se ekzistojnë edhe disa ndryshime për vënien në dispozicon të bregut të detit, të parashikuar në nenin 29 të ligjit aktual.

“Përdorimi i bregut të deteve, lumenjve dhe liqeneve si stacione plazhi lejohet me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave. Shtohen edhe pika të tjera që përcaktojnë përdorimin e brigjeve deri në 30 vjet. Kompetencat i kalojnë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për të lidhur marrëveshjet përkatëse me investorin si edhe tarifa e përdorimit përcaktohet nga këshilli bashkiak”.

“Një propozim tjetër është furnizimi i AIDA-s me një portofol investimi për promovim nga ana e agjencisë për një periudhë trevjeçare, së bashku me kalendarin njëvjeçar të projekteve të investimit për të cilat ministritë janë përgjegjëse. Fondi për pasuritë e paluajtshme për mbështetjen e investmeve strategjike krijohet dhe inventarizohet nga MEKI,” pohoi Resulaj.

Sipas deputetes, vendimet që merr Komiteti i Investimeve Strategjike shpeshherë kanë rezultuar të pazbatueshme dhe problematikat kryesore kishin lidhje me çështje pronësie.

“Ky projektligj rrit monitorimin fillestar të çdo projekti të propozuar. Propozime në rastet kur vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike duhen rishikuar dhe këtu bëhet fjalë për revokimin e statusit të investitorit strategjik, kur ka tejkalim të afateve për mospërmbushje të detyrime që mund të shkaktojnë një dëm mjedisor apo pasuror. Projektligji propozohen futjen e disa koncepteve si pezullim i përkohshëm, shfuqizim dhe anullim të vendimit të Komiteti i Investimeve Strategjike,” tha Resulaj.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›