E Diel, 1 Nëntor 2026

Retorika serbe në gojën e Majkos, në funksion të mobilizimit zgjedhor dhe anarkizmit të së majtës

21-05-2013 / Nga Rexhep Kastrati

Në vazhdën e retorikës agresive dhe aspak demokratike të shpërfaqur deri më tash nga Edi Rama, Pandeli Majko në Konventën e PS-së, shpalosi jo vetëm një retorikë agresive dhe aspak demokratike, por edhe një retorikë serbe, që për ne shqiptarët e Kosovës në veçanti, dhe për shqiptarët në ish-Jugosllavi në përgjithësi, është e njohur si retorikë shoviniste serbe e përdorur për të ndërsyer turmat kundër çdo gjëje shqiptare. Ne shqiptarët e Kosovës, por në përgjithësi shqiptarët në territoret  shqiptare nën ish-Jugosllavi, shumë moti kemi dëgjuar qarqe ultranacionaliste dhe shoviniste serbe të Milosheviqit, Sheshelit dhe të tjerëve si këta të këlthasin me zë se Kosova është Jerusalemi serb dhe se do ta mbrojmë me çdo çmim. Dhe heqja e autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, e që Milosheviqi kishte premtuar se do ta bënte në mënyrë institucionale dhe joinstitucionale, ishte në funksion të mbajtjes me çdo kusht të Kosovës, përkatësisht të Jerusalemit serb, siç e quanin qarqet ultranacionaliste serbe. Retorika shoveniste serbe që proklamonte Kosovën si Jerusalemin serb, ishte një retorikë agresive dhe që i paraprinte aksioneve institucionale dhe joinstitucionale kundër shqiptarëve si popull, kundër kulturës dhe kundër gjithçkaje shqiptare. Me këtë retorikë, propaganda serbe dhe qarqet institucionale dhe joinstitucionale serbe kishin arritur që të indoktrinonin një popull të tërë, dhe të nxisnin te ta ndjenjën e urrejtjes dhe të mosdurimit njerëzor dhe kombëtar të shqiptarëve. Si Jerusalem serb, siç propagandonin qarqet institucionale dhe joinstitucionale serbe, Kosova paraqiste ambisin serb për të cilin ia vlente të vdisje. Së këndejmi edhe ka qenë shumë e përhapur edhe parulla: Jetën e japim, Kosovën s’e japim!. Me fjalë të tjera, retorika serbe kishte për qëllim dhe kishte arritur që të indoktrinonte popullin me shovenizëm, me urrejtje dhe me mosdurim, dhe e kishte përgatitur atë për çdo lloj aksioni në dëm të shqiptarëve, përfshirë edhe shfarosjen e tyre. Si pasojë e kësaj ishte edhe masakra serbe e viteve 1998-1999, kohë kur u masakruan mijëra shqiptarë, u zhdukën mijëra të tjerë, u dëbuan qindramijëra shqiptarë dhe u dogjën vendbanime të tëra. Dhe është kjo kohë kur vetë Pandeli Majko ishte në krye të qeverisë socialiste të Tiranës dhe i kishte rënë të ballafaqohej me situatën e ekzodit të madh, më të madh se të eksodit biblik, kohë e cila e vuri në sprovë edhe durimin, filozofinë dhe qytetërimin perëndimor. Prandaj, e dëgjuar nga goja e Pandeli Majkos retorika serbe, sipas së cilës Tirana na qenka Jerusalemi i PS-së, del edhe më e trishtueshme, edhe më e tmerrshme, edhe më tragjike për forcën politike që përfaqëson. Por Pandeli Majko, që nga të majtët shqiptarë, ka pasur një respekt tek shqiptarët e Kosovës, jo vetëm që u bë promotor i retorikës serbe në Tiranë, por edhe me mimikë, edhe me intonacion dhe me mizanskenën, u shfaq si një ultranacionalist serb. Ngjashmëria thuajse e njëqindpërqindtë e Pandeli Majkos me ultranacionalistët serbë,nuk ishte vetëm se Tiranën e quajti Jerusalemi i ynë, pra i Partisë Socialiste, por edhe këtë e tha me një intonacion agresiv, me zë të lartë dhe kërcënues. Edhe pamja e fytyrës shpërfaqte një lloj agresiviteti dhe një lloj egërsie. Por jo vetëm kaq: edhe lëvizjet e trupit ishin sikurse të Sheshelit apo edhe të ndonjë ultranacionalisti serb. Për Pandeli Majkon, pra për Partinë Socialiste, Tirana ishte Jerusalemi që ishte vjedhur me 2011 dhe që do të rikthehet me çdo çmim. Dhe gjatë tërë fjalimit të tij, që i përngjante fjalimit të Milosheviqit në Gazimestan më 1989, Pandeli Majko i shpërfytyruar fare shpërfaqi qëndrime tepër agresive dhe që do të duhet të ishin edhe një paralajmërim se opozita shqiptare e Tiranës do të bënte gjithçka që ta rikthente Tiranën. Mbeti pa u dëgjuar qartë vetëm vazhdimi i fjalimit të Milosheviqit se këtë do ta bënin në mënyrë institucionale dhe joinstitucionale, pra nëpërmjet zgjeddjeve, por edhe me forma të tjera jashtinstitucionale, siç ishte anarkia e vitit 1997, apo edhe dhuna e 21 janarit 2011.
Pas paralajmërimeve të Edi Ramës për gjyqe kolektive, për ndëshkime kolektive dhe për më tepër për gijotina ndaj investitorëve të huaj dhe ndaj popullit në përgjithësi, retorika serbe e Pandeli Majkos e shpërfaqur në Konvetën e PS-së, i jep një dimension të ri angazhimit të opozitës shqiptare, e cila që moti kishte shpërfaqur atavizma dhe sociopati nekrofilike me thirrjet çmendurake të Spartak Ngjelës, në kontekst të dhunës së 21 janarit të bërë kundër institucioneve të shtetit. Dhe ky dimension i ri është dimensioni i një bashkërendimi të organizuar mirë për të vepruar institucionalisht dhe joinstitucionalisht për të rithyer Jerusalemin e tyre, siç e quajti Majko, Tiranën. Për Jerusalemin serb, siç e quajtën serbët Kosovën, shteti serb ishte në gjendje të përdorte të gjitha mjetet institucionale dhe joinstitucionale, përdorën policinë, ushtrinë, por përdorën edhe grupet paramilitare. Me fjalë të tjera, të gjitha mjetet dhe mundësitë që kishte. Për ta, pra për forcat shoviniste serbe, shqiptarët nuk ishin njerëz, ishin shqiptarë, e për serbët vetëm shqiptari i vdekur ishte i mirë. Për Jerusalemin socialist, siç u shpreh Pandeli Majko, a do të thotë se opozita do të jetë në gjendje të përdorë të gjitha mundësitë që ka, dhe a do të jenë shqiptarët që nuk votojnë majtas, njësoj si shqiptarët e Kosovës, vetëm robër lufte të cilët mund t’i burgosësh, mund t’i vrasësh, pra mund të bësh çfarë të duash me ta? Së këndejmi, duhet thënë se çehrja e prishur e Pandeli Majkos, si dhe atmosfera e përgjithshme në kampin opozitar, duhet kuptuar edhe si vazhdimësi në strategjinë e këtij kampi për të thelluar indoktrinimin e atij që pjesëtarët e këtij kampi, e quajnë popull opozitar, për ta përgatitur emocionalisht dhe psikikisht edhe për aksione të dhunshme kundër institucioneve të shtetit shqiptar. Dhe ky indoktrinim bëhet me qëllim që edhe të mobilizojë popullin opozitar, siç thonë të majtët, edhe për zgjedhje, por edhe për të ndërmarrë aksione të dhunshme nëse rezultati i atyre zgjedhjeve nuk do të jetë siç kanë qejf ata. Dhe shkëndijën e kanë lënë të ndezur, e kjo shkëndijë është në KQZ, përkatësisht në vendet vakante të lëna nga tre anëtarët e opozitës. Dhe ky indoktrinim që me fjalimin e Majkos në Konventën e PS-së mori një dimension të ri dhe një agresivitet të shtuar, po ndodh në sy të shqiptarëve si komb, në sy të institucioneve shtetërore, por edhe në sy të bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka në dorë që të bëjë trysni pozitve tek opozita që së pari të ulë nivelin e agresivitetit dhe të retorikës luftënxitëse, e pastaj edhe të plotësojë vendet e saja në KQZ, në mënyrë që t’i kthehet normaliteit dhe të presë vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›