E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa Limajn, PDK shënon 12 vjetorin e themelimit

Pa nënkryetarin e saj për çështje politike, Fatmir Limaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shënon sonte 12 vjetorin e themelimit.

Limaj ndodhet në arrest shtëpiak tash e disa javë, nën akuzën për krime lufte, përderisa deri tani ka mbajtur disa seanca me pyetje para prokurorëve ndërkombëtar nën dyshimet për keqpërdorime si ish ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Zyrtarët e PDK-së thonë se në PDK vërehet mungesa e një anëtari të thjeshtë, e lëre më mungesa e nënkryetarit të partisë.

Një hendikep të veçantë mungesa e Limajt i ka shkaktuar Grupit Parlamentar të PDK-së, pjesë e të cilit është si deputet.

Megjithatë, shefi i këtij grupi, Adem Grabovci, thotë se PDK-ja ka mjaft kapacitete për të mbuluar edhe këtë boshllëk, ndërkohë që ka shprehur besimin e plotë se Limaj do ta dëshmojë pafajësinë e tij, njësoj sikur që e dëshmojë pafajësinë në Hagë, fitore kjo, që sipas Grabovcit, nuk ishte vetëm e Limajt, por e gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Është shumë normale që të mungojë një anëtar i thjeshtë, ndihet mungesa e tij, e aq më tepër kur është zoti Limaj. Mirëpo Partia Demokratike e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme dhe ka një angazhim të të gjithë kolegëve të tjerë, ne do ta plotësojmë atë boshllëk dhe patjetër se do të ecim përpara dhe jemi të vetëdijshëm se do të përballemi me sfida edhe më të mëdha që vetë rrethanat nëpër të cilat po kalojmë është shumë e qartë se kemi ende shumë punë për të bërë dhe për t’i përballuar këto vështirësi me të cilat po përballemi aktualisht dhe do të përballemi në të ardhmen, kemi nevojë për njerëz të rinj, e jo më të na mungojnë ata që i kemi. Por unë jam optimist dhe shumë i sigurt që ne do të ecim përpara dhe do ta plotësojmë atë boshllëk që ka shkaktuar mungesa e Limajt”, ka thënë Grabovci për Kosovapress.

Ndërkohë, në një intervistë ish oficeri i Policisë së EULEX-it, Troj Wilkinson ka thënë se gjithë procesi i Limajt, sidomos lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e 80 milionë eurove, është bërë me agjendën politike dhe presionet që sipas tij kanë ardhur, pa dashur të speficikojë se nga kush kanë ardhur këto presione.

Ai ka thënë se hetimet e EULEX-it ndaj ish-ministrit të Transporteve Fatmir Limaj lidhur me dyshimet për keqpërdorim të 80 milionë eurove në këtë ministri, janë bërë pa asnjë provë konkrete.

“Një gjë është e qartë, se Prokuroria e donte Limajn në burg”, ka thënë Wilkinson, i cili ka qenë oficer i policisë në Departamentin Ekzekutiv për krim të organizuar, krime lufte dhe terrorizëm në kuadër të EULEX-it.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili njëherit është edhe nënkryetar i PDK-së, nuk ka dashur të flas për këtë çështje, duke thënë se deklarimet e tij si ministër do të mund ta dëmtonin procesin.

“Është një proces i drejtësisë që çdo deklarim i imi do ta dëmtonte, por unë jam i bindur që ligji duhet të sundohet me ligj. Edhe ndaj zotit Limaj, duhet të respektohet e drejta ligjore dhe sipas ligjit ai të mbrohet”, ka thënë Kuçi për Kosovapress.

Sidoqoftë, Kuçi ka thënë se PDK-ja beson në pafajësinë e Fatmir Limajt, se sikur pas sfidës së përballjes në Gjykatën e Hagës që iu kthye prapë aktiviteteve të PDK-së. Po ashtu, sipas Kuçit, edhe pas kësaj sfide, Limaj do t’iu kthehet aktiviteteve partiake dhe institucionale.

Kuçi ka thënë më tej se PDK-ja ka shënuar rezultate të mëdha për këto 12 vjet, duke qenë partia më stabile, më kohezive dhe me një qëndrueshmëri të elektoratit më të lartë, natyrisht edhe partia përgjegjëse për zhvillimet pozitive në vend, e cila është identifikuar me shtetformim dhe veprime të përgjithshme nacionale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›