E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus dhe Udineza ndalen në barazime

Juventusi kryesues nuk shkon më larg se një barazim pa gola në “Bentengoti” të Veronës kundër Kievos, duke humbur një mundësi të mirë për t’u shkëputur në krye. Ashtu si kundër edhe Bolonjas e Katanias, bardhezinjtë kanë hasur vështirësi kundër një formacioni jopretendent. Konte kishte rreshtuar sërish një formacion 4-3-3, duke lënë në sulm Vuçiniç, por juventinët hasën vështirësi në manovrën sulmuese deri kur trajneri hodhi në fushë Del Pieron, duke e kthyer skemën në 4-2-4. Bardhezinjtë godasin një shtyllë pikërisht me anë të kapitenit, por Kievo e mbron me fanatizëm barazimin, duke merituar në fund të garës një pikë.

Përveç numrit të ndeshjeve të luajtura, që tashmë shkon në 6, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar në tabelën e renditjes për sa i përket grupit të skuadrave kryesuese në Serinë A. Juventus e Udineze barazuan 0-0 në transfertë përkatësisht ndaj Kievos dhe Atalantës, duke u zhvendosur që të dyja në krye me nga 12 pikë. Po 0-0 u mbyll Xhenoa me Leçen, Kaljari me Sienën dhe Çezena me Fiorentinën, e luajtur më herët. Ajo që bie sy në ndeshjet e luajtura është se në gjashtë takime u shënuan vetëm 2 gola dhe që të dy në të njëjtën sfidë, atë mes Novarës dhe Bolonjës. Miqtë fituan 0-2 falë golave të Ramirez dhe Akuafreskës. Kjo javë e Serisë A mbyllet me derbin roman Lacio-Roma. Të dyja skuadrat përballen me njëra-tjetrën kur në tabelën e renditjes janë të barabarta, me nga 2 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje.

Ujkani dëmtohet rëndë

Në minutën e 42-të, Novara detyrohet që të zëvendësojë portierin e saj të parë, Samir Ujkanin, me Alberto Fontanën. Shkak është bërë një dëmtim i rëndë që ka pësuar portieri i kombëtares kuqezi, teksa u përplas me shokun e tij të ekipit, Morganelën. Ujkani ka thyer hundën si dhe katër dhëmbë dhe është operuar me urgjencë. Çezena ka barazuar 0-0 me Fiorentinën, por sulmuesi Erjon Bogdani nuk ka qenë as në stolin e rezervave.

Serie A – Java VI

Sot

Katania – Inter 2-1

Milan – Palermo 3-0

Napoli – Parma 1-2

Nesër

Çezena – Fiorentina 0-0

Atalanta – Udineze 0-0

Kajliari – Siena 0-0

Kievo – Juventus 0-0

Xhenoa – Leçe 0-0

Novara – Bolonja 0-2

Lacio – Roma 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›