Retro/Histori: 20 gusht 1901 Salvatore Quasimodo
Salvatore Quasimodo, shkrimtari italian që fitoi çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 1959, u lind më 20 gusht 1901. “Nobeli” erdhi “për poezinë e tij lirike, e cila me zjarr klasik shpreh përvojën tragjike të jetës në kohët tona”. Bashkë me Giuseppe Ungaretti-n dhe Eugenio Montale-n ai është një nga poetët më të shquar italianë të shekullit të 20-të. Kritika letrare tradicionale e ndan veprën e Quasimodo-s në dy periudha madhore: periudhën hermetike deri në Luftën e Dytë Botërore dhe periudhën post-hermetike, deri kur ai ndërroi jetë. Megjithëse këto periudha janë të ndryshme, ato duhen parë si një hulumtim i vetëm poetik. Ky mision apo eksplorim për një gjuhë unike e çoi atë nëpër etapa dhe modalitete të ndryshme të të shprehurit. Si një poet inteligjent dhe i zgjuar, Quasimodo përdorte një gjuhë hermetike “të mbyllur” për të skicuar motive kronike si Sicilia, feja dhe vdekja. Përbuzja dhe sensi i absurdit të Luftës së Dytë Botërore, gjithashtu, patën ndikimin e tyre në gjuhën e poetit. Kjo idhtësi, sidoqoftë, u shua në krijimet e tij të vona, për t’u zëvendësuar nga zëri i matur i një poeti të pjekur që reflektonte mbi botën e tij.