Retro/Histori: 31 tetor 1918 Republika e Banatit
Republika e Banatit ishte një shtet jetëshkurtër, shpallur në Timishoarë më 31 tetor 1918, një ditë pas shpërbërjes së Perandorisë Austro-Hungareze. E njohur vetëm nga Hungaria, republika u pushtua nga ushtria e Serbisë, vendit fqinj, më 15 nëntor. Vitin pasardhës territori i saj u nda mes Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve dhe Rumanisë. Banati është një rajon gjeografik në Rrafshulëtën Panoniane. Që nga vitit 1552 u shndërrua në një provincë otomane, e quajtur Vilajeti i Temesvarit. Pas Traktatit të Pasarovicit të vitit 1718, rajoni u bë provincë Habsburgase dhe u quajt Banati i Temesvarit. Ndërmjet viteve 1849 dhe 1860 rajoni i Banatit bashkë me Backën dhe Sremin u bë pjesë e një province të re Habsburgase, Vojvodinës Serbe dhe Tamish Banatit. Kryeqyteti i gjithë këtyre provincave ishte Timishoara. Më 31 tetor 1918 grupimet etnike që jetonin në provincë: rumunët, hungarezët, gjermanët, hebrejtë dhe serbët ngritën këshilla ushtarake. Në një takim të tyre Dr. Otto Roth, një anëtar i Partisë Socialdemokrate, propozoi krijimin e Këshillit Popullor të Banatit, autonom dhe me përfaqësues nga secili grupim etnik, por rumunët u distancuan nga ky objektiv derisa të shprehte mendimin Këshilli Kombëtar Rumun. Sidoqoftë, krerët e PSD vendosën të shpallin Republikën e Banatit një ditë më pas.