Retro/Press: Idealogí shqyptare
At Anton Harapi
Kur mârr e lexoi të përkohshmet e të përditshmet qi tash kohen e fundit botoi shtypi i jonë kombtár, më bâhet si me hetue nji idé të njajtë, qi lvizë nder shkrimtarë e fletore të ndryshme. U vûna prandej t’i shtrîjë në shkrim pershtypjet e mija, të cillat edhe ktû po i shenjoj me kto dy vrejtje:
Sido së keq të mendojë a të flasë kush per Shqypní, e verteta âsht – e as mâ i shtŷmi pesimist nuk mund e mohojë – se në jetën t’onë, porsi kolektivitet kemi bâ dy hapa të parë:
Jetës primitive i âsht prishë ama, e jeta europjane, me tana nevojët e veta t’arsyeshme e të paarsyeshme, na ká vû para; drejtimin t’onë kahë nji jetë e ré nuk e ndalë gjâ.
Kerkojm idén. Ky âsht fakt.
I dyti hap edhe mâ me randsí âsht, se jetës provizore, sido të tfaqet, edhe me format mâ sugestive, ashtû e pshtetun nder parime e kritere relativ me vehtje, me qellime të dyta e me interesë e dobí materjale, nder né i ká dalë boja edhe fryma; systemi i oportunizmit a edhe i aventurës pshtetë në parimin “shih e bân”, âsht i msŷm e i ndjekun prej tanë inteligencës. Kerkojm vlerë reale, vlerë shpirtnore.
Të dyja kto pûnë janë fitime të mdhá e fitime qi shênjojn njimend nji shkallë perparimit në jeten t’onë shoqnore. Shtypi âsht barometri, qi matë atmosferën e jetës së nji vendi, aj shqyrton e njehë të rrahunat e dejvet të gjallnís së nji populli; prandej shtypi i jonë thekshëm u prek prej ksajë faze të jetës, edhe, kû, terthoras çoj zânin, e fuqishëm qiti kushtrimin per krijesen e nji atmosfere mendore të shndoshtë, per ngrehjen e nji Shqypnije me zakone shêjte, me vlerë reale nierzore, nder baza shpirtnore etj.
Njata shka don Gjenço Bardhi në “Demokrati”, me “Shqypní spirituale” po ata kerkon të realizojë në “Minerva”[1] B. Merxhani me “Hyllin e Dritës së Djalërisë”, e ndoshta me tjera fjalë e mnyrë, po të njajtin mendim çpallin tjerë shkrimtarë nder tjerë organe të shtypit kombtár.
E po kush – nemose në teorí – nuk âsht per nji Shqypní ideale, pshtetë mbí parime të dlirta e të madhnueshme të dignitetit nierzuer e njeshë e mrû me faktorët, qi përbajn vlerën e shpirtin e jetës shqyptare?
Edhe pse «Idealogín t’onë» e mbajn «anakroniste e të pa-zojën që të ndimojë në ndrrimin mendor dhe lartsimin e jetës s’onë shoqrore të prapambeturë dhe të prishurë shpirtnisht», na të «Hyllit» që para se t’u bâte Shqypnija edhe mbasi u bâ, botnisht e privatisht, per parim e në teorí, në praktikë edhe me pûnë, porsi shkrimtarë e porsi kolektivitet në program t’onë kemi pasë edhe kemi trajtimin e nji Shqypnije per të cillen mund të lumnojm, edhe porsi Shqyptarë të mund të lavdohemi para botës së qytetnueme.
Kjo pûnë âsht mâ e kjartë se drita e diellit. Flet pûna vetë. Jemi të marrun vesht.
Ktû, un due «të shtroj nji bisedim me karakter të pergjithshëm edhe që prekë anen theorike të nji theme kolektive», as nuk due të rreshtoj fjalë të bukra, due të kërkoj me gjetë kund realitete me vlerë nierzore e me vlerë njimend shqyptare.
Shka duem të marrim vesht e të ndertojm me Shqypnín spirituale ase ideale, pshtetë nder vlera nierzore? Ja i pari problem per t’u zhvillue sá mâ kjartë e mâ konkret.
Cilli âsht mâ i skâjshmi parim e mâ e plota arsye, prej së cillës, porsi prej amës së vet, të dikojë tanë idealogija shqyptare? Në shka t’a pshtesin e t’a vendojm idealin t’onë porsi nierz e porsi shqyptarë? Mbas çëfarë kriteri do të punojm per realizimin e nji Shqypnije shpirtnore ase ideale?
Po u ramë në tê ktyne problemavet, kemi vû binarët e jetës shqyptare, po perkuem në përfundimin e ktyne kerkesavet, kemi bâ njisín idealogike, e me tê, njisín kombtare; kemi krijue âmen e idealogís e të jetës shqyptare. (Idea-madre, die Grundidee).
Sokrati kje i mendimit, se me idé të kjarta do të mund u perfundote, jo nji çashtje e veçantë, si â çashtja shqyptare, por tanë çashtja e jetës nierzore. Kta na lypet né porsi qyshk sine qua non: mos të qetsohemi me nji gjysë studimit, t’i apim çashtjes mâ pertej, der n’arsyen e fundit. Idealogija e jonë të jetë vertè nji system i maruem. Me fjalë tjera, të jemi studjoza serjoz e të sinçertë.
Thirret e âsht ideale a por shpirtnore nji gjâ, pse shihet vetem me sŷnin e mendes, gjindet vetem në boten e idévet e themelohet nder lamije të patrandshme të jetës shpirtnore, qi janë parimet e arsyes e të moralit; e sikurse nuk pershihet me shise, ashtu nuk ka realitet në boten trupore as në rrethin e jetës sensitive. [...]
Tanë ata shka perbân idealogín t’onë porsi nierz e porsi shqyptarë, mund e thomi me dy fjalë: Kulturë shpirtnore e njimendtë, e vetmja vlerë nierzore[2], e kulture shqiptare në veshtrim të fjalës, e vetmja vlerë e shqyptarit. Due të më marrin vesht edhe të pashkollët: Krijojm Shqypnín ideale me vlerë nierzore, me atmosferë mendore të shndoshtë, po u erdh Shqyptarvet era nieri e po kjemë shqyptarë njimend me të drejtë.
Sikurse kishte per të kenë gabim me pasë per t’i shkputë a per t’i shndrrue kta dy elementa t’idealogís s’onë, ashtû âsht edhe gabojm randë, po nuk i dalluem kjartë njenin e tjetrin. Me kta dy elementa, perkueshem do të bâjm nji unitet: me shqyptarin nuk do të bâjm nji kosmopolit, prandej, me tanë kujdesin do t’a ruejm karakteristikën e tij, por edhe me trajtimin e shqyptarit nuk duem t’i shklasim parimet e pergjithta mbî të cillat pshtetet jeta e vlera e kulturës nierzore. Pá kênë nierz kulture, nuk kemi si e krijojm kulturen shqyptare, Shqypnín ideale.
[...] nierzt me kulturë, në vend me kênë të zotnuem prej nevojvet të jetës, ushtrojn zotnim mbi to, pse kan aq zotsí mendjet, sá me pá shka âsht vertè të mirë e të marë e me u shtrî nder pjane të hapta e të madhnueshme; kan aq fuqí vullndeset, sá me të mendueme e lirisht janë të zott të zbatojn pjanet e vendueme, t’epen per shka âsht mâ per nderë e me vlerë, mâtë dêjë e fisnik per ta porsi vehtje e porsi kolektivitet. [...]
1. T’a gjuejm e t’i biem në tê shpirtit të shqyptarit, e atŷ të krijojm zotsí mendore reale e fuqí morale të njimendta, e mos të merremi mendsh me fitimet e ulta të kulturës materjale, as me tamahin e çasit as me laracimet e dukës.
2. Parimeve të pergjithta të kulturës botnore jo vetem nuk do t’u vêm kamben as nji ças, n’asnji rasë, per kurrnji arsye as per çë farë do qellimi sado shêjt e të naltë, por tue i vû porsi themel të paluejshem, do t’i çmojm porsi të vetmet vlerë nierzore, mbî të cillat do të ngrehim kulturen shqyptare.
3. Faktorët e vlerës shqyptare do t’i çmojm sá jetën, per ta s’do të pritojm të flîjohemi, edhe dér në dekë; por edhe besë e burrní, urtí e fisnikí shqyptare me tana tjerat vetí shpirtnore t’onat, nuk kan vlerë as s’na lânë nderë, kur mos të përshîhen e mos të maten me parimin e virtytit, me dignitetin e nierit e me tjerë elementa t’idealogís nierzore.
4. Ideal, vlerë nierzore, jetë kulturale, Shqypní shpirtnore, tana kto s’kan veshtrim, e por janë plûhun sŷsh, po nuk u nenkuptue lirija e mendimit e lirija e ndergjegjes në veshtrim të fjalës. Fjalët nuk e bâjn Shqypnín shpirtnore por punët; e vetmja arsye per të cillen perpjekjet t’ona ideale kan vlerë, âsht se jemi kafshë të lirë. Po monopolizuem mendimin, do të mund të lavdohemi se i kemi shtrue shqyptarët, por jo kurr se i kemi mkamë; po nuk siguruem de jure et de facto lirín e ndergjegjes civile, fetare, shoqnore, në tanë zhvillimin e vet, kemi me muejtë me qitë fjalën se kemi bâ shqyptarë, por realisht kemi bâ rob. Mandej, fjala ndergjegjë kolektive âsht tym e erë, po nuk kje nder vehtje të kryeme, të cillat, po s’paten ndergjegje të veten, s’kan per t’a pasë as per kolektivitetin. – Nuk do të mysin nierin per me bâ shqyptarin, sikurse nuk do të shkmyejm shqyptarin per me trajtue nierin. T’i ruhemi mekanicizmit, i cili nuk gjallnon, por e fikë jeten kû âsht, as mos të biremi nder utopí e nder fjalë të bukra, per me i lânë mandej punët si të vîjn.
5. Edhe pse nuk perkojm nder parime, B. Merxhanit i mârr doren e i thâm: Të lumtë! Me guximin e lavdueshëm të nji idealisti, tue i rá pá mshrirë teorive të dobta, çashtjen shqyptare e çon e e ngrehë dér nder vlerë reale nierzore. Kujtohemi. Nuk âsht e para herë, qi në luftën e idévet – luftë sá e fortë aq bujare e fisnike – ndeshemi me inteligentin e ndritshem. Veçse epni pertej, u lutem Zoti Branko. T’a shtŷjm vizen e t’a plotsojm harkun; pertej, t’i apim çashtjes shqyptare, dér n’arsyen e fundit. Nuk mjaftojn disá njohtsí, lypet nji system i maruem. Jam i bindun, se me serjozitet e me sinceritet, dy qyshke fisnike t’idealistavet, dikû do të perpiqemi, a tue zblue mosmarrveshtjen e tue ndreqë vizen, a por – shka ká edhe mâ giasë – tue rá në godi në perkim të plotë. Extrema se tangunt!
Hylli i Dritës, 1934 (X), Nr. 6, ff. 265-272.