Retro/Histori: 1 nëntor 1790 Refleksione mbi Revolucionin në Francë
Refleksione mbi Revolucionin në Francë, libri i filozofit anglez Edmond Burke që parashikonte se Revolucioni francez do të përfundonte në katastrofë, u botua më 1 nëntor 1790. Libri është një nga sulmet më të njohura intelektuale kundër Revolucionit francez, asokohe i sapolindur. Në shekullin e 20-të pati ndikim të madh te intelektualët konservatorë dhe ata liberalë klasikë, që i panë argumentet e Burke si kritikë ndaj programeve revolucionare të Komunizmit dhe Socializmit. Edmund Burke ishte deputet në Dhomën e Ulët si përfaqësues i Partisë Whig. Gjatë karrierës politike Burke mbrojti me forcë kufizimet kushtetuese të Kurorës; denoncoi persekutimin fetar të Katolikëve në vendlindjen e tij, Irlandë; u dha zë shqetësimeve të kolonive amerikane të Anglisë; mbështeti Pavarësinë e Amerikës. Në vitin 1789, pak pas rënies së Bastijës, aristokrati francez Charles-Jean-François Depont i kërkoi përshtypjet për Revolucionin. Burke u përgjigj me dy letra. Letra e dytë, që ishte edhe më e gjata, u bë Refleksione mbi Revolucionin në Francë.