E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkojnë për të grabitur, tre të rinj vrasin të zonjën e shtëpisë

Emine Rrota 86 vjeç, ka mbetur e pajetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga tre të rinj, të cilët u arrestuan nga policia e Devollit fill pas ngjarjes

Devoll Një grua e moshuar në një fshat të Devollit ka mbetur viktimë e dhunës së tre të rinjve, të cilët kishin shkuar në shtëpinë e saj, pasi e dinin që ajo jetonte e vetme dhe nuk kishte njerëz të tjerë në shtëpi. E ndërsa 86-vjeçarja Emine Rrota ka mbetur e vdekur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj, policia lokale ka bërë të mundur arrestimin e tre të rinjve, ndërkohë që e moshuara kishte qenë dhe kohë më parë shënjestër e një grabitjeje.

Vjedhja

Tre të rinj nga rrethi i Devollit kanë shkuar të grabisin banesën e një gruaje të vetmuar, ndërsa kanë plaçkitur shtëpinë dhe më pas, megjithëse nuk kanë vjedhur gjë prej saj, kanë lënë të vdekur të zonjën e shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur natën e kaluar në fshatin Poloskë të rrethit të Devollit. Gruaja 86-vjeçare, e quajtur Emine Rrota, e cila pas vdekjes së të shoqit jetonte e vetme, është gjetur e vdekur nga disa të afërm të saj shumë orë pas ngjarjes, ndërsa këta të fundit kanë shkuar t’i çojnë ushqim për të ngrënë. Duke iu referuar burimeve zyrtare mësohet se shtëpia e viktimës është sulmuar për ta grabitur, por autorët janë zbuluar nga 86-vjeçarja dhe ata më pas kanë ushtruar dhunë fizike duke i shkaktuar asaj vdekjen.

Arrestimi

Strukturat e Komisariatit të Policisë në Devoll, në bashkëpunim me specialistët e seksionit kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë në Drejtorinë e Policisë së Korçës, bënë të mundur arrestimin në flagrancë për veprën penale “vjedhjes me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim" të shtetasve Ergys Rushitaj, 18 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes”, Majkëll G., 17 vjeç, i padënuar më parë, dhe Taulant Lluka, 19 vjeç, i padënuar më parë, që të tre banues në fshatin Hoçisht të rrethit të Devollit. Tre të rinjtë kanë menduar se gruaja e ve posedonte pasuri në banesë, gjë që më pas ka rezultuar në asgjë. Pasi kanë bastisur shtëpinë, ata e kanë torturuar 86-vjeçaren që ajo të tregonte se ku i mbante të hollat. Në fakt viktima mësohet se jetonte e vetme me një pension minimal me vlerën e 40 mijë lekëve të vjetra në muaj. Ishin disa nipër të saj që kujdeseshin në mënyrë të vazhdueshme duke e parë dhe ndihmuar për nevojat më imediate. Mësohet se grabitësit, përveçse kanë lënë një të vdekur në vend, nuk kanë arritur të grabisin gjë. Policia e Korçës bën të ditur se ngjarja është zbuluar në kohë dhe tre autorët e saj kanë përfunduar tashmë në burg.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›