E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri prej tavllës, një i vdekur dhe tre të plagosur në Vlorë

SHKRUAN: Ervin Haruni 07-11-2011 17:41

Altin Leskaj u arrestua nga policia, akuzohet se vrau 37-vjeçarin Niko Mataj dhe plagosi vëllezërit Zaim dhe Arben Çelaj dhe Elidon Aliajn, me të cilët u grind sepse bënin zhurmë gjatë lojës

Loja me tavëll është bërë shkak i një prag masakre në Vlorë, ndërsa një person ka mbetur i vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur. Burime nga policia thanë se kanë ndaluar autorin të identifikuar si Altin Leskaj, menjëherë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa kanë konfirmuar se Niko Mataj, 37 vjeç, ka mbetur i vdekur gjatë të shtënave ku u plagosën vëllezërit Zaim dhe Arben Çelaj, përkatësisht 31 dhe 42 vjeç dhe Elidon Aliaj 27 vjeç.

Ngjarja

Vëllezërit Çela, 27-vjeçari Aliaj dhe viktima, e disa persona të tjerë, kanë qenë duke luajtur tavëll poshtë një pallati në lagjen “Isa Buletini” të Vlorës. Duket se loja e tyre nuk ka qenë shumë e qetë dhe Altin Leskaj e vëllai i tij Edliri kanë ndërhyrë për t’u kërkuar që të mos i shqetësonin. Grindja me fjalë që ka nisur prej këtij momenti duket se ka shkuar përtej normales. Burime nga policia thonë se personat janë përleshur me mjete të forta, pasi ata kishin shenja dhune në trup dhe fytyrë. Nuk dihet sa kohë ka zgjatur përleshja, deri sa 37-vjeçari ka rrëmbyer armën, një pistoletë TT, dhe ka qëlluar duke vrarë një dhe plagosur tre të tjerë. Menjëherë pas kësaj ai duket se është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që forca të shumta të rendit kanë rrethuar zonën e krimit dhe kanë bërë transportimin e të plagosurve për në spital. Duket se kanë qenë dëshmitë e këtyre të fundit që kanë zbardhur edhe detajet mbi autorin e krimit dhe mënyrën sesi kanë rrjedhur ngjarjet. Dëshmitarë pranë vendngjarjes hedhin dyshime se personat e përfshirë në grindje mund të kenë konsumuar edhe alkool.

Arrestimi

Policia që ka qenë menjëherë në vendin e ngjarjes nuk e ka pasur të vështirë të zbulojë se si kishin rrjedhur gjërat. Dëshmitarë të shumtë kanë konfirmuar sherrin mes viktimës, të plagosurve dhe Leskajt, si dhe motivet e saj. Policia është vënë pas kësaj menjëherë në lëvizje për të ndaluar Leskajn. Në një komunikatë për shtyp ajo njofton se forcat e policisë kishin arritur të kontaktonin me të akuzuarin Altin Leskaj dhe mbas negociatave me punonjës të policisë ky ka treguar vendin ku ndodhej dhe shërbimet e policisë kanë bërë shoqërimi i tij për në komisariat.

Atij gjithashtu i është kapur arma e dyshuar të krimit, një pistoletë tip TT model 54. “Në vendin e ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja dhe një krehër pistolete TT si dhe një cekan”, njoftoi policia. Ndërkohë burime nga spitali rajonal i Vlorës bëjnë me dije se për ndihmë mjekësore janë paraqitur vëllezërit Zaim dhe Arben Çelaj, përkatësisht 31 dhe 42 vjeç dhe Elidon Aliaj 27 vjeç. Nga të dhënat që japin mjekët, të cilët u kanë dhënë ndihmën të plagosurve, asnjë prej tyre nuk rezulton të ketë plagë të rrezikshme për jetën. Mjekët kanë konfirmuar gjithashtu që të tre personat rezultojnë të dëmtuar edhe nga plagë të tjera, për shkak të sherrit.

Viktima

Niko Mataj, 37 vjeç

Të plagosur

Zaim Çelaj 31 vjeç

Arben Çelaj 42 vjeç

Elidon Aliaj 27 vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›