E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reuters reportazh për incidentet ndëretnike në Maqedoni

SHKUP - Incidentet e fundit ndëretnike në Maqedoni kanë tërhequr edhe vëmendjen e medias ndërkombëtare. Agjencia e lajmeve Reuters i ka kushtuar një reportazh të shkurtër situatës së fundit në fqinjin tonë lindor.

“Maqedonia po lufton për të frenuar dhunën më të rëndë ndëretnike, që pasi vendi ballkanik evitoi luftën civile një dekadë më parë”- raporton Reuters, duke iu referuar incidenteve të fundit në vend, si rrahja e të rinjve shqiptarë në mjetet e transportit, në Shkup apo qytete të tjera.

Vetë politikanët maqedonas kanë frikë se shpërthimi i dhunës ndëretnike do të kontribuojë në refuzimin e aplikimit të Maqedonisë për në NATO, në samitin e Chikagos në maj të këtij viti. Ndërsa analistët thonë se tensionet ushqehen edhe nga varfëria apo ritmi i ngadaltë i integrimit.

Në Sllupcan , rreth 40 km në lindje të Shkupit , shumë shtëpi kanë ende shenjat e konfliktit të vjetër etnik. Vrimat e plumbave nëpër muret e shtëpisë së Qemal Ismailit të kujtojnë se sa pranë luftës civile ishte Maqedonia në vitin 2001.
Një dekadë pasi uli armët, Qemali është ende i papunë dhe nuk mund t’ia lejojë vetes që i biri të shkojë në universitet.

Maqedonia është një prej vendeve më të varfra në Europë më një shkallë papunësie prej 30% dhe një në tre persona jeton nën kufirin e varfërisë. Integrimi i vendit ka ngecur për vite me radhë për shkak të mosmarrëveshjes për emrin me Greqinë.

Situata duket se është qetësuar dhe tensionet janë zbutur në ditët e fundit, por edhe njëherë ato treguan hendekun mes shqiptarëve dhe maqedonasve, në këtë pjesë të vogël dhe të varfër të ish-Jugosllavisë.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›