Revista TIME shpall njeriun e vitit: Protestuesi
Nderim për të gjithë ata që protestuan në vitin 2011, nga bota arabe, në Nju Jork e deri në Moskë. Revista e njohur amerikane TIME ka vendosur që personi i vitit kësaj here të jetë thjesht PROTESTUESI. Një vit pasi një shitës frutash në Tunizi i vuri flakën vetes duke ndezur revolucionet në botën arabe, zëri i revoltës është përhapur më shumë se kurrë, duke mbërritur nga Lindja e Mesme, në Europë, SHBA e duke u dhënë formë tjetër politikave globale dhe fuqisë së popullit. Nga Afrika Veriore në Nju Jork e së fundmi në Moskë, njerëzit po tregojnë fuqinë e tyre.
Edhe ky vit ka qenë viti i protestave të shqiptarëve. Njësoj si Tunizia, Egjipti, Jemeni e Libia, dhe Shqipëria u përfshi në hartën e vendeve që kërkonin liri 20 vite pas rrëzimit të regjimit komunist. Por shteti tregoi dhëmbët dhe vrau katër protestues të pafajshëm jashtë perimetrit të sigurisë së kryeministrisë. Në këtë mënyrë dha një sinjal të fortë se askush në këtë vend nuk do guxojë të ngrejë kokë sepse do qëllohet. Shpirti i protestës u struk, por nuk u fik kurrë. Ai është më i ndezur se kurrë tani. Ndaj sot është momenti të shpallim vërtet edhe në Shqipëri protestuesin si njeriun e vitit. Është momenti të nderojmë Hekuran Dedën, Aleks Nikën, Ziver Veizin dhe Faik Myrtajn, që dhanë jetën për lirinë.