Nard Ndoka: Ofertat e PD-së? PDK do vazhdojë të jetë në opozitë me qeverinë
Demokristiani Nard Ndoka duket se është mikluar jo pak nga lajmet e ditëve të fundit se drejt tij kanë ardhur oferta nga qeveria aktuale dhe nga zyrtarë të PD-së për tu rikthyer në aleancë me këtë parti. Duke folur për gazetën TemA, ai nuk i mohon këto oferta, por duket se nuk i ka marrë seriozisht aq sa për të lënë koalicionin ku ndodhet aktualisht me PS-në dhe për të hyrë në qeveri si ministër, apo në koalicionin e djathtë në zgjedhjet e vitit 2013. Ai tha se kontaktet mes tij dhe eksponentëve të PD-së kanë pasur si synim më shumë diskutimet mbi reformën zgjedhore se sa ndonjë gjë tjetër që ka të bëjë me aleancat partiake. Ndoka ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e parë të Berishës, por kjo aleancë u prish para vitit 2009 dhe partia e tij e mbetur jashtë koalicioneve nuk arriti të merrte deputet edhe pse mblodhi rreth 50 mijë vota. PDK ka akuzuar PD-në se i ka vjedhur votat në disa zona, kryesisht në Shkodër dhe që prej 2009-ës është në koalicionin opozitar me PS-në.
Zoti Ndoka sa të vërtetë janë zërat për kontaktet tuaja të kohëve të fundit me eksponentë të PD-së?
Po, ka pasur kontakte mes meje dhe njerëzve të PD-së, por këto kontakte kanë qenë kryesisht për reformën zgjedhore, e cila ka nisur në Kuvend dhe për të cilën PDK është e interesuar. Siç dihet ne skemi anëtarë në këtë komision.
A ka pasur oferta ndaj jush dhe partisë tuaj për tu rikthyer sërish në koalicion me PD-në ose për të hyrë në qeverinë Berisha?
Po. Ka pasur disa biseda të tilla, ose oferta siç i quani ju, por ato skanë qenë oferta institucionale
Sa seriozisht i keni marrë ju këto oferta?
Jo. Jo. Nuk besoj se do ketë ndonjë zhvillim të ri.
Si është aleanca juaj me PS? A keni divergjenca?
Aleanca me PS ecën normalisht, kam kontakte të vazhdueshme.
Që ta kuptojmë qartë zoti Ndoka, PDK në cilin koalicion do të rreshtohet në vitin 2013?
Në opozitë me qeverinë pa dyshim.
