E Diel, 1 Nëntor 2026

Revista amerikane Arkeologjia, pasqyron vlerat e Gjirokastrës

Vlerat historike, turistike dhe trashëgimia kulturore e qytetit të Gjirokastrës vazhdojnë të jenë gjithmonë e më të pranishme në të përditshmet ndërkombëtare. Ditët e fundit revista Arkeologjia, botim i Institutit Arkeologjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka botuar një shkrim të gjatë, i cili ka në qendër vlerat e qytetit të gurtë. Shkrimi i titulluar Në shpëtim të Qytetit të Argjendtë përgatitur nga Oliver Gilkes pedagog i Universitetit të East England dhe njëkohësisht këshilltar i Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës pasqyrohen me detaje të gjitha asambletë e vlerave të papërsëritshme të qytetit. Artikulli i shkruar në formën e një reportazhi, është i ilustruar edhe me fotografi të cilat paraqesin komplekset muzeale dhe banesat e gurta të qytetit. Për herë të parë unë shkova në Gjirokastër në vitin 1994 për një vizitë njëditore, duke u nisur nga qyteti arkeologjik Butrinti ku kam marrë pjesë në gërmime që prej një dhjetëvjeçari. U intrigova menjëherë nga pamja e Gjirokastrës dhe krijova përshtypjen e një qyteti të ruajtur mirë të periudhës osmane te shekullit XIX me një kala madhështore, ndërtuar fillimisht në shekullin XIV dhe rindërtuar e zgjeruar disa herë gjatë 500 vjetëve, përshkruan autori i shkrimit vizitën e parë me qytetin e gurtë. Gjatë viteve të mëpasme, gazetari amerikan do të bëhej një vizitor i përhershëm i qytetit, duke arritur të njohë disa prej mistereve dhe të fshehtave që e bëjnë Gjirokastrën sa të bukur aq edhe origjinale. Sa herë që e shoh unë mahnitem se si qyteti është bërë një me malin, shkruan autori i shkrimit. Grija e gurëve gëlqerorë krijon kontraste të mprehta me të zezën e gurëve të çative. Më pas ai bën një përshkrim të shkurtër të historisë së qytetit duke risjellë fazat kryesore të zhvillimit social-ekonomik të Gjirokastrës. Qyteti lulëzoi në periudhën bizantine, i njohur me emrin Argyrokastron, që në greqisht do të thotë qytet i argjendtë, ndofta për shkak të vezullimit të rrugëve dhe çative të tij të hirta të lagura nga shiu. Topografia e Gjirokastrës është tepër interesante. Kadare shkruan për Gjirokastrën një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, (ku) në nivelin e pullazit të njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi qytet në botë ku kalimtari në vend që të shembej në gropën ndanë udhës mund të binte mbi pullazin e ndonjë shtëpie të lartë. Të bredhësh përpjetë nëpër sokakët e saj është një ushtrim gjimnastikor që kërkon përqendrim që nuk të lejon shumë të habitesh me pamjet mahnitëse të luginës së Drinos, vijon të përshkruajë vlerat e qytetit në artikullin e tij, Gilkes. Më tej ai përmend impresionet që iu ka lënë qyteti disa prej udhëtarëve më të njohur që e kanë vizituar në shekuj si Bajroni, Eduart Liri etj. Pjesë e këtij shkrimi është edhe këndvështrimi i autorit në lidhje me stadin aktual në të cilin ndodhen vlerat e trashëgimisë kulturore në Gjirokastër dhe përpjekjet që duhen bërë për ruajtjen dhe mirëmenaxhimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›