E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apollon Emocione, jo vetëm të një garë çmimesh

Në Teatrin Bylis të qytetit të Fierit ka startuar festivali ndërkombëtar teatror
Kanë nisur në Fier ethet e aktorëve që garojnë për çmimet e përvitshme Apollon. Juria kryesohet nga aktorja e mirënjohur Ema Andrea, regjisori rumun Kristian Paker dhe kritiku Adriatik Kallulli. Natën e parë të festivalit u ngjitën në skenë trupa e teatrit Bylis të Fierit me komedinë e Bashkim Kozelit Si rruar, qethur, ku interpretimi i një ansambli perfekt të aktorëve u duartrokit fort. Artistja Hajrie Rondo, në rolin e Rukies krijoi një tjetër figurë simpatike, në një lojë perfekt të aktrimit, duke shtuar një tjetër karakter në morinë e personazheve të saj. Nata e dytë vijoi me shfaqjen e trupës e teatrit Kombëtar të Tiranës me Filumena Marturano me regji të Albert Mingës, e në vazhdim festivali pasurohet me trupën e Mantovës së Italisë, për të vijuar me dramën Dejzilen të trupës Kombëtare të Prishtinës, me atë rumune, maqedonase, dramën Ditari i një të çmenduri të trupës teatrore Petro Marko të Vlorës, dramën Sonte jam vetëm të Teatrit të Babës së Kosovës dhe po këtë mbrëmje ndarja e çmimeve Apollon. Pas debutimit të të gjithë trupave dhe aktorëve do të dalin 5 çmime. Çmimi i parë për aktorin më të mirë (mashkull , femër). Çmimi i dytë për aktorin interpretues (mashkull- femër),dhe çmimi i karrierës. Mjedisi i artistëve dhe krijuesve në qytet është gjallëruar. Artistët e mirënjohur Tinka Kurti, Drita Pelingu, Lazër Filipi..si një emblemë e artë krijojnë rreth vetes një rreth të këndshëm nga fanast e tyre. Aktorët e  ardhur nga Prishtina dhe Dibra krijojnë një tjetër kënd bisedash duke realizuar një ndërthurje grishëse mes traditës dhe tendencave të aktrimit sot. Më tepër se një garë çmimesh, festivali është shndërruar në një periudhë një javore, ku në qendër të vëmendjes janë artistët.
Festivali i aktrimit: Për trofeun Apollon 09 edhe të huajt
Organizatorët e festivalit të përvitshëm të Aktrimit Apollon kanë ftuar në garë edhe aktorët profesionistë nga trupa të huaja. Në këtë edicion garojnë me interpretimin e tyre edhe aktorët nga trupa e Mantovës në Itali, trupa rumune dhe maqedonase. Grupi ose bordi i festivalit, ka bërë një punë serioze për të sjellë vlera të spikatura në këtë edicion. Njëri prej organizatorëve të këtij evenimenti kulturor Adonis Filipi ka theksuar se që nga data 27 prill dhe deri në 2 maj teatri Bylis dhe gjithë qyteti i Fierit do të ketë nderin që të shikojë puhizën e aktorëve më të mirë vendas dhe të huaj. Sipas Filipit, - për herë të parë do të hyjë në konkurrim trupa teatrore e Mantovës në Itali, një trupë kjo tepër dinjitoze, teatri Maqedonas i Manastirit me dramën Histori të pista dhe teatri Rumun. Sipas Adonis Filipit: Ky edicion e ka shndërruar në festival ndërkombëtar dhe ka thyer kufijtë e trevave shqipfolëse. Po futemi ne strukturat evropiane, dhe kështu që edhe ne në fushat tona duhet të shkojmë dhe të përgatitemi për tu ballafaquar me vlerat më të mira evropiane dhe të shkojmë si pjesë e integruar e këtij komuniteti evropian. Filipi, drejtues dhe organizator edhe i një tjetër festivali në Elbasan, festivalit Skampa pohon se Qëllimi festivalit mbetet promovimi i vlerave të artit skenik, duke cituar poetin e madh Lorkën se: Ata popuj që duan teatrin, dua të ardhmen, duke shtuar se ky eveniment po gjallëron jetën e qytetit.

Një vit më parë.... Apollon 08

Me çmimin e madh Apollon juria vlerësoi aktorin e Teatrit Kombëtar Timo Flloko me rolin e Edi Karbones. Jam vërtetë shumë i kënaqur dhe ndjehem entuziast për vlerësimin e publikut dhe jurisë profesioniste. Sigurisht nuk duhen shumë fjalë për këtë gjë.  Mikpritja e spektatorit fierak ka qenë e ngrohtë dhe festivali ka marrë një udhë tepër interesante. Për vlerat ideo-emocinale dhe gjithçka tjetër..., - tha aktori, duke veçuar emocionet e duartrokitjeve të publikut profesionistëve të ardhur nga gjithë trevat shqiptare. Aktorja Yllka Mujo u vlerësua si aktorja më e mirë. Me çmimin e karrierës u vlerësua aktori i humorit dhe estradës Luftar Paja.  Nuk e laj dot borxhin që i kam spektatorit të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë, ka thënë Paja,dhe më tej ka vijuar do të mundohem me mish e shpirt t'jua shpërblej. Çmimi i dytë debutues  për aktorët meshkuj dhe femra iu dha aktorëve Loreta Ngjeci dhe Sanije Hoxha. Juria e festivalit i dha dhe çmimin special aktorit të njohur kosovar Çun Lajçi.

**************************************
Drejtori i Festivalit Klajdi Marku:
Po punojmë për një performancë artistike bashkëkohore

-Çfarë sjell risi ky edicion në traditën e festivalit të aktrimit?

Është paraparë që festivali këtë vit, si rrallë herë në raport me edicionet e tjera, ne Festival janë ftuar dhe kanë ardhur trupa të huaja siç është trupa e Mantovës në Itali me Virgjili dhe dashuria me autor Jean DE Heute dhe regjisor Xhovani Paseti si dhe teatri Aldavilae cila konkuron me Ledi Kapuleti". Nga ana tjetër mendoj se ardhja e këtyre 2 trupave provokon dhe ballafaqon edhe vlerat e Festivalit të aktrimit me prurjet bashkëkohore. Nga ana tjetër mendoj se kjo është në koherencë me zhvillimet bashkëkohore të integrimit evropian dhe ajo që është më e rëndësishme është kultura ajo që shkrin kufijtë, e cila është një klimë në fund të fundit ajo që mbizotëron në Evropë.

-Në ditët e festivalit keni programuar edhe debate që synojnë çfarë?

Janë debate po të karakterit profesional siç është debati Teatri dhe dramaturgjia, festivali ka një tendencë të prekshme për të mos qenë i mbyllur brenda një mjedisi, por për tu shtrirë që kjo ngjarje e pritshme kulturore jo vetëm për qytetin e Fierit, jo vetëm të rajonit, të marrë dimensionin që realisht asaj i takon si një ngjarje e madhe kulturore me vlera ndërkombëtare.

-Festivali juaj mbetet aktiviteti i përvitshëm më i mbështetur financiarisht nga bashkia Fier, për këtë vit 2.600.000 lekë a keni tjetër mbështetje financiare?

Ky festival gëzon përgjithësisht mbështetjen e Bashkisë së Fierit, të presidentit të festivalit z Baftjar Zeqaj, ndërkohë që pritet edhe mbështetja nga Ministria e Kulturës se ne absolutisht mendojmë që do të kemi mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Për sa i përket akomodimit, Fieri në përgjithësi ka pak probleme në drejtim të hotelerisë, por gjithsesi ne po përpiqemi me të gjitha mënyrat që ky komponent të mos jetë shqetësues me të gjitha mënyrat dhe mundësitë reale që kemi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›