E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni antidrogë në Berat çon në qeli 5 persona, priten arrestime të tjera

Sekuestrohen 90 kg kanabis sativa
Operacioni i policisë, nisur dy ditë më parë në 3 rrethe të vendit, Kuçovë, Fier dhe Vlorë, është finalizuar dje me prangosjen e 5 personave dhe sekuestrimin e 90 kilogramëve kanabis sativa. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se deri dje në mesditë janë arrestuar pesë personat Estref dhe Ndriçim Kaçi nga Kuçova, përkatësisht babë e bir, Johan Çuko nga Fieri, Ardian Tabaku, ish-polic i komisariatit të Kuçovës, dhe Elvis Aliaj nga Fieri. Të pesë këta persona akuzohen nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike. Pas hetimeve, në flagrancë janë kapur shtetasit Ndriçim Kaci dhe Ardian Tabaku nga qyteti i Kuçovës duke u shitur 44 kg e 850 gramë kanabis sativa fierakëve Joan Çuko dhe Elvis Aliaj. Lënda narkotike u kap në mjetin "Range Rover" me targa FR 0971 D, e cila drejtohej nga Elvis Aliaj. Së bashku me dy fierakët është kapur në flagrancë edhe mjeti tip "Mercedes Benz" me targa BR 2776 A, brenda të cilit ishin shtetasit Ndriçim Kaci dhe Ardian Tabaku nga qyteti i Kuçovës, të cilët janë dhe furnitorët e dy personave nga Fieri me lëndë narkotike të tipit kanabis sativa, të cilën e kishin strehuar në banesën e Kacit në lagjen "11 Janari" në Kuçovë. burimet policore tregojnë se në banesën në fjalë u gjetën të kultivuara 148 bimë narkotike kanabis sativa, të cilat ishin mbjellë në oborrin e shtëpisë në një serë të improvizuar. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 1 kg e 284 gr farë me kokrra ngjyrë jeshile, e cila shërben për mbjelljen e kanabis sativa. Ndërkohë që të pesë personat ndodhen në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë në Berat për t'iu nënshtruar procedurave të tjera ligjore, nga forcat e policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e 6 personave të tjerë, të cilët mendohet se janë bashkëpunëtorë në këtë rrjet narkotikësh. Drejtoria e Policisë së Beratit ka zbuluar rrjetin e trafikantëve të drogës, pas një survejimi prej më shumë së tre muaj, deri ditën e martë, kur ka nisur dhe aksioni goditës, gjatë të cilit është bërë i mundur ndalimi i Aliajt. Burimet policore pohuan se sapo agjentet e antitrafikut të drogës kanë rënë në gjurmët sasisë së konsiderueshme të drogës e cila ndodhej një makinë landrover me targa FR. 09 71 D, janë vënë në ndjekje të saj nga shtëpia prej së cilës ka dalë automjeti. Por makina që udhëtonte drejt Fierit në Urën Vajgurore ka pikasur se e ndiqte një makinë pa targa. Në këtë moment drejtuesi i mjetit e ka kuptuar se po e ndiqte policia dhe ka shtuar gazin e makinës. Të njëjtën gjë ka bëre dhe makina e policisë, e cila në një moment në qendër të këtij qyteti e ka parakaluar dhe i ka dhënë shenjë për ndalim. Ky ka qenë dhe momenti deçiziv për drejtuesin e mjetit, i cili nga hutimi dhe nga frika ka goditur makinën me policë. Kjo e fundit ka devijuar drejtim dhe ka përfunduar në trotuarin e rrugës. Sapo agjentët e policisë kanë dalë për të ndaluar makinën me drogë, kjo e fundit ka ndryshuar drejtim duke udhëtuar për në qytetin e Beratit. Në këtë moment të dyja makinat edhe ajo e policisë si dhe ajo e drogës janë vënë në garë, ndërsa policia ka organizuar dhjetëra forca të tjera, si ato të trafikut rrugor, grupin e gatshëm etj., për të bërë të mundur ndalimin e makinës dhe arrestimin e autorëve të drogës. Nga shpejtësia, në segmentin rrugor Ura e Moravës makina e trafikantëve ka dalë nga kontrolli dhe ka rënë në kanal. Më pas është dashur ndihma e policisë që ta nxjerrë. Ndërkaq, ekspertët e sektorit të antidrogës thanë se grupi i trafikantëve të vënë nën survejim grupin që përbëhej nga më shumë se 6 persona, megjithatë prokuroria kishte prerë dy ditë më parë 6 fletë-arrest për ti ekzekutuar ditën e djeshme. Operacioni i policisë, i cili vazhdonte paralelisht në Kuçovë, pasoi ditën e djeshme me bllokimin e 230 thasëve të tjerë me kanabis sativa të papresuar, si dhe 250 degë të tjera gati për tu presuar.

Last Updated on Thursday, 30 April 2009 13:45

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›