Revista prestigjioze National Geographic Junior, tani edhe në shqip
Shqipëria është bërë vendi i 13- të në botë, ku do të botohet revista prestigjioze National Geographic Junior, kushtuar moshave të reja, kryesisht nga 6 në 14 vjeç. Revistën e njohur e ka sjellë në Shqipëri kompania Jeta-Media, e cila në bashkëpunim me Institutin e Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT), në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës po punojnë për t'a përfshirë përmbajtjen e saj në kurrikulat lëndore të historisë, gjeografisë dhe biologjisë në arsimin 9-vjeçar.
Sipas IKT-së, revista prestigjioze është një mundësi shumë e mirë për shfrytëzimin e informacionit bashkëkohor që sjell, duke trajtuar në mënyrë të qartë praktikat kurrikulare q렠 përdoren sot në shkollat tona, si kroskurrikula, ektsrakurrikula, përfshirja e materialit në mënyrë të drejtpërdrejtë në tema mësimore, etj. IKT e vlerëson këtë revistë një mjet të fuqishëm profesional për zhvillimin e projekteve kurrikulare që lidhen me edukimin shkencor të moshave të vogla, ide dhe praktika. Me këtë revistë mësojnë 2.5 milion fëmijë amerikanë dhe miliona të tjerë në Evropë. Prej 3 vitesh revista ka hyrë dhe në vendet afër nesh si Kroacia, Sllovenia, etj. National Geographic Junior është mbështetje domethënëse për fëmijët e arsimit 9-vjeçar, edhe sepse informacionet e saj janë nga më të fundit dhe para botimit marrin aprovimin e një grupi shkencëtarësh amerikanë. Kjo revistë sjell në shqip 80 % të përmbajtjes të saj standarde, me të cilën ajo botohet në Amerikë dhe në të gjitha vendet evropiane, ndërsa 20% të përmbajtjes, ia kushton fakteve historike, koncepteve biologjike, të dhënave gjeografike nga vendi botues dhe në këtë rast, edhe nga Shqipëria. Për këtë qëllim, kompania Jeta-Media, në bashkëpunim me Institutin e Kurrikulës dhe të Trajnimit ka certifikuar 60 trajnerë për përmbajtjen e revistës dhe rrugët e përfshirjes së saj në shkollë. Trajnerët nga të gjitha rrethet, gjatë muajve mars dhe prill do të trajnojnë rreth 3000 mësues me arsim të lartë në profilet Histori, Gjeografi, Biologji në të gjitha shkollat 9-vjeçare të vendit.