Ndërtimet pa bazament, shumë jetë në rrezik
VLORË - Tragjedia e rëndë që ndodhi në Gjirokastër, më shumë se këdo në qytetin e Vlorës ka tronditur banorët e pallatit 1149. Historia e tij tashmë njihet mirë prej 5 vjetësh. Pallati që dikur identifikohej nga të gjithë si pallati i Gjallicës, aty ku shpërndaheshin deri para ‘97-s paratë e firmës famëkeqe piramidale, ka lënë në ankth banorët. Çarje masive në muret e dyshemetë e hyrjeve është gjendja reale e pallatit. Pasi kanë parë rënien e një pallati në Gjirokastër, banorëve të qytetit tjetër jugor u është shtuar ankthi duke menduar pësimin e të njëjtit fat. Ngjashmëritë nuk mungojnë. Gjendja e pallatit është ndikuar pikërisht nga ndërtimi i një pallati tjetër në themelet e tij. Tronditja që dha ngritja e pallatit të ri, vazhdon të shtojë bumerangun e pasojave. Çarjet tërësore në pallat, thjesht po rritin përmasat. SOS-i i dhënë nga banorët, nuk është dëgjuar nga askush. Duke parë çka ndodhi në Gjirokastër, banorëve nuk u ngeli tjetër, veçse të evakuojnë fëmijët apo edhe të rinjtë, duke i dërguar te të afërm të tyre. “Sa do të zgjasë kjo? Po kalojmë një gjendje të tmerrshme, - thotë një nga banoret e katit të katërt. - Jemi tmerruar nga ajo që pamë. Përveçse na vjen keq për ata banorë, kujtohemi për fatkeqësinë tonë, që dita-ditës na troket te dera”. “Kur do të kujtohen? Kur të vijnë dhe të na kërkojnë nën gërmadha?” thotë një nga banoret e tjera. “Ndihmë, vetëm ndihmë se nuk kemi ku shkojmë”, thotë një banore tjetër. Sorollatur për vite me radhë, sot çështja e shtëpive rikthehet sërish në bashki. Gjika u tha banorëve se e njeh gjithë problemin, por vendimmarrës është sërish këshilli bashkiak. “Fonde shtesë nga qeveria, ose në të kundërt do të ftohen firmat private të ndërtimit të kontribuojnë”,- kanë qenë zgjidhjet e propozuara nga Gjika. Pyetur për ankesa të tjera të banorëve, ai tha se është dhe një pallat tjetër, 1034, banorët e të cilit janë ankuar për një pallat që po ndërtohet në zonën pranë sigurimeve shoqërore, por verifikuar në terren, problemi ka jo rrezikshmëri të tillë, por mosrespektim të distancave teknike të ndërtimit. Nga raporti i ekspertëve shtëpitë u cilësuan “me kushte të papërshtatshme banimi”. Gjithsesi duke u shprehur se ndërhyrja nuk ishte kompetencë e këshillit, këshilltarët u propozuan hapjen e çështjes gjyqësore banorëve, çështje kjo që u hap vitin e kaluar dhe vijon ende.Në Bashkinë e Vlorës nuk pranojnë të prononcohen për çështjen, pasi kjo tashmë i ka kaluar gjyqësorit, si dhe leja e ndërtimit është dhënë nga KRRT e mëparshme.
Historia
Një leje ndërtimi për një pallat 9-katësh, leje e aprovuar kjo qysh në vitin 2003, ishte zanafilla. Themelet e të riut u gërmuan ngjitur me themelet e të vjetrit, çka bëri që pallati ekzistues të tronditej. Në të u dukën çarjet e para, ndërkohë që shtimi i kateve të të riut, shtonte çarjet e pallatit ngjitur. Erdhën ekspertë ndërtimi, përfaqësues të vendorit dhe hapi i fundit ngeli gjykata. “I nisëm seancat, - thotë një banore, - por veç tarifës, na kërkuan dhe përqindje të dëmeve. Unë jam pensioniste. Po kështu kishte edhe familje të tjera që nuk ia dilnin dot të paguanin. Gjyqet u lanë”. Dy vjet më parë bashkiakët ia besuan vlerësimin një grupi prej 8 inxhinierësh. Duke theksuar faktin se qyteti i Vlorës ka sizmicitet maksimal, gjithë pallati u vlerësua prej ekspertëve i pabanueshëm, për shkak të çarjeve që ai ka marrë. Këshillit bashkiak iu kërkua asokohe nga ana e kreut të bashkisë të miratonte tjetërsimin e truallit ku ndodhet pallati ekzistues, me qëllim që ai të prishej dhe të ndërtohej një tjetër për banorët e dëmtuar. Këshilli bashkiak nuk e kaloi këtë vendim.
-------------------------------------------------Prej 12 vjetësh jetojnë me gërmadhat
Korçë- Një pallatpjesërisht i shembur kërcënon korçarët, pasi rrezikon të bjerë plotësisht. Ngjarja në Gjirokastër rivjen si një këmbanë e fortë alarmi edhe në kryeqendrën e juglindjes. Pikërisht 12 vjet më pare, një pallat pesëkatësh në këtë qytet u shemb, duke lënë në qiell të hapur dhjetëra familje. Madje, pallati edhe sot, pas më shumë se një decade, ka një pamje të frikshme. Në të jetojnë aktualisht vetëm 5 familje, të cilat gjithsesi mbartin peshën e frikës të një shembjeje të dytë, që mund të jetë fatale për ta. Shpërthimi i një kabine elektrike, e vendosur në katin e parë të pallatit në fjalë, ishte shkaku i shembjes së një seksioni të tij. Sipas burimeve nga zyra e urbanistikës në bashkinë e qytetit, pas shembjes nuk u regjistruan viktima apo të lënduar, ndërkohë që janë pesë familje që nuk e kanë gjetur rrugën e tyre të shpëtimit, ndonëse kanë marrë siguri nga organet përgjegjëse dhe specialistët e linjës se banesat e tyre në pjesën ku ata jetojnë nuk kanë probleme shembjeje. Pas asaj ngjarjeje që mbahet mend dhe sot në Korçë si një tmerr që e kanë përjetuar shumë njerëz, janë ngritur shumë grupe me specialistë, që fillimisht larguan familjet e mbetura në qiell të hapur, të cilat janë trajtuar me banesa, ndonëse këtë fat nuk e patën familjet që aktualisht jetojnë aty. Por ndërsa specialistë sigurojnë se nuk ka rrezik shembjeje për seksionin e mbetur të pallatit në lagjen 17 të qytetit të Korçës, paniku vjen nga ajo gjysmë-gërmadhë që rrezikon edhe jetën e kalimtarëve. Sipas banorëve, herë pas here bien copa betoni dhe tulla nga lart, ndërsa askush nuk ka menduar të ndërhyjë në këtë ndërtesë 40-vjecare për ta riparuar apo dhe për ta rrethuar, për të mos qenë kërcënim serioz për jetën e banorëve. Pallati dikur pesëkatësh tashmë ka vetëm tre kate, pasi është menduar që të hiqen dy kate për të lehtësuar bazamentin e tij, por dhe për të eliminuar një shembje të dytë. Në bashkinë e qytetit shprehen se çështja e pallatit të rrëzuar në Korçë është një kapitull i mbyllur.
-----------------------------------------------------------------------Frikë për shembjen e pallatit, familjet jetojnë mbi ujë
LEZHË - Frika e shembjes së pallatit ekziston edhe në qytetin e Lezhës. Kësaj radhe nuk është ndonjë pallat i ndërtuar së fundmi, por është një godinë e ndërtuar të paktën 40 vjet më parë, ku sot jetojnë rreth 20 familje. Bëhet fjalë për pallatin numër 16, në lagjen “Skënderbeg” të qytetit, vetëm pak metra larg të gjitha institucioneve vendore të këtij rrethi. Banorët të cilët jetojnë në to, ndihen tepër të rrezikuar për shkak të amortizimit të tejskajshëm të kësaj godine, e cila rrezikon shembjen dita-ditës. Ky paralajmërim është dhënë disa herë, ndërsa edhe sot është e njëjta situatë. E ndërtuar rreth viteve 50, ajo është përmbytur plotësisht në katet e para, ndërsa në katin e dytë e gjithë çatia është duke u shembur. Banorët e këtij pallati janë shprehur se jetojnë me frikën e shembjes, por nuk mund ta braktisin, pasi nuk kanë se nga të shkojnë. Po sipas banorëve, nuk kanë munguar rastet kur pjesë nga tavani i apartamentit të tyre janë shkëputur duke rënë në tokë, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Lagështia e tepërt dhe aroma e rëndë që kanë këto hyrje janë bërë shkak i shumë sëmundjeve, por katastrofa duket shumë pranë. Kati i parë është përmbytur plotësisht nga vërshimi i ujërave të bardha dhe të zeza, ndërsa akoma më keq është fakti se në brendësi të godinës ka një burim uji, i cili ka gërryer mjaft themelet e kësaj banese 2-katëshe. Edhe pse në këto probleme mjaft të mëdha, në njërin cep të katit të parë jeton një familje me 3 persona, të cilët shprehen se flenë me frikën se nesër nuk do të jenë më. Atyre u është komunikuar vendimi për të braktisur godinën, por nuk u është dhënë asnjë zgjidhje se ku do të strehohen më pas. Shumica e këtyre familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike dhe e kanë të pamundur të paguajë qiratë e larta apo të blejnë shtëpi të reja. Çarjet në këtë godinë, e cila banohet vetëm në katin e dytë, pasi kati i parë është përmbytur plotësisht, nuk janë vetëm në një pjesë apo në një vend, ato janë të dukshme në të gjithë godinën, duke treguar faktin se shembja e tij është thjesht çështje kohe. Bashkia është në dijeni të këtij problemi, por deklarata e tyre shpjegon se mungojnë fondet për akomodimin e këtyre banorëve në një ambjent të tyre për të ndërtuar aty më pas një pallat të ri për të pastrehët. Kryetari i bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj, ka deklaruar se problemi është paraqitur pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve sociale, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme, pasi nuk duhet të pritet që të ndodhë ndonjë katastrofë për të marrë masa.
--------------------------------------------------------Dy pallate rrezikojnë jetën e 250 familjeve
SKRAPAR – Mbi 250 familjeve të Çorovodës dhe Poliçanit janë të trembur nga frika e shembjes së pallateve që ndodhen pranë tyre. Kështu, në secilin qytet të rrethit të Skraparit, ekziston një pallat në rrezik shembjeje dhe ku nuk ka më banorë, që përbëjnë rrezik për banesat që ndodhen rrotull tyre, pasi shembja do të shkaktonte një tragjedi. Në qytetin e Çorovodës, në qendër të lagjes “Çirim”, një pallat me tulla të bardha, i ndërtuar rreth 40 vjet më parë ka devijuar nga aksi qendror i ndërtimit të tij dhe për pasojë është boshatisur nga banorët. Por ende ai përbën rrezik për shembjen. Ndërkaq, sipas banorëve, nëse pallati shembet, për vetë terrenin e ndërtuar në pjerrësinë e kodrës, merr përpara dhjetëra shtëpi private, dhjetëra dyqane e lokale, si dhe një pallat tjetër 5-katësh që është i ndërtuar vetëm 40 metra larg, në pjesën e poshtme të tij. Rreth 100 familje të kësaj lagjeje i bënë apel dje pushtetit vendor dhe atij qendror duke u kërkuar drejtuesve që të marrin masa për parandalimin e ndonjë tragjedie të mundshme. Po sipas banorëve, të dy pallatet, njëri në Poliçan dhe tjetri në Çorovodë, janë boshatisur nga familjet për arsye të frikës së shembjes që prej 5 vjetësh më parë, ndërsa çarja e mureve që duket nga njëra anë në tjetrën, hapësirat, kanë bërë që banorët që banojnë në pallatet ngjitur me ta, të jetojnë me rrezikun për jetën. “Problemi ynë”, pohojnë banorët, “ka shkuar disa herë në qeveri, si dhe në pushtetin lokal dhe deri tani nuk është marrë asnjë masë”. Ata pohojnë se krerët e pushtetit vendor dhe ata qendror nuk duhet të marrin masa vetëm kur do të ndodhin tragjedi si ajo e Gjirokastrës. Po të njëjtin apel e bëjnë edhe banorët e qytetit të Poliçanit, të lagjes “18 tetori”, të cilët thane se pallati që tani është i boshatisur rrezikon të shembet, pasi ka devijuar nga qendra e themeleve dhe muret e tij kanë të çara. Ata pohojnë se, nëse pallati i boshatisur shembet, merr përpara edhe tre pallate të tjera ku banojnë mbi 130 familje.