"Gjirokastra, apel për ndërtimet pa studim gjeologjiko-inxhinierik
Specialistja e Shërbimit Gjeologjik, Lamaj, bën thirrje për realizimin e studimeve gjeologjike, të cilat vlejnë sa 2 % e ndërtimit
TIRANË- Të mos bëhet asnjë ndërtim pa studimin gjeologjiko-inxhinierik. Madje, shembja e pallatit në Gjirokastër, po shërben si apel ndaj ndërtesave që janë bërë dhe që mund të bëhen pa u realizuar studimi gjeologjiko-inxhinierik, që është pika e parë që duhet të realizohet kur ndërtohet një objekt. Ky është apeli që bëjnë specialistët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, të cilët theksojnë se ky studim është neglizhuar nga shumë shoqëri ndërtimesh, ndonëse është me ligj se, para se të fillojë ndërtimi, dosjet duhet ta kenë edhe këtë studim. Laburantja në laboratorin e dherava pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Esma Lamaj, pohon për gazetën “Shekulli” se, në vendin tonë ka kudo tokë me parametra të dobët gjeologjikë për të ndërtuar objekte, ndaj, ky studim, nuk duhet të neglizhohet për asnjë moment. Ndërkohë, ajo shpjegoi edhe procedurat që ndiqen për të bërë një studim gjeologjiko-inxhinierik.
Apeli
Katastrofa që ndodhi në Gjirokastër, mund të pasohet edhe nga të tjera dhe pikërisht mbi ndërtesat që janë bërë pa studimin gjeologjiko-inxhinierik. Sipas specialistes, çdo ndërtim i objekteve, duhet të fillojë pikërisht nga ky studim, në të kundërt, pasojat do të jenë të paparashikueshme. “Ky studim bëhet për t’i paraprirë ndonjë katastrofe që mund të vijë nga ndonjë shembje”,- pohon Esma Lamaj, duke shtuar se, më parë, ky studim bëhej edhe për një stallë lopësh dhe kishte një rëndësi të padiskutueshme. Ndërkohë ajo pohon se tragjedia e ndodhur në Gjirokastër është një apel që u bëhet të gjithë ndërtuesve dhe gjeologëve, që ata duhet t’i bashkërendojnë punët që çdo studim të fillojë me inxhinierinë gjeologjike dhe të vlerësohet trualli edhe nëntokë, pastaj të fillojë puna e ndërtimit të objektit.
Studimi
Gjeologjia inxhinierike studion tokën si bazament, në të cilën vendoset objekti. Përpara ndërtimit të çdo objekti bëhet një studim i mirëfilltë gjeologjik, në mënyrë që objekti që vendoset në këtë truall të funksionojë normalisht dhe të mos bëhet shkak për prishjen e objekteve të tjera. Gjeologu duhet të analizojë në laborator parametrat fiziko-mekanikë, siç është pesha vëllimore, pesha specifike, lagështia, kohezioni dhe këndi i fërkimit të brendshëm që janë parametra që i shërbejnë inxhinierit të ndërtimit konstruktor, për të bërë llogaritjen e konstruktionit të ndërtesës. “Ka ardhur koha që inxhinieria gjeologjike të vlerësohet, pasi ka shumë ndërtues, të cilët kanë interes të ndërtojnë dhe të fitojnë, por nuk e bëjnë këtë studim, pasi ajo ka edhe kosto, sepse kushton 1 deri në 2 për qind të vlerës së përgjithshme të ndërtimit”,- përfundon Esma Lamaj.
Deputetë të PD-së kërkojnë dorëheqjen e Bimes. Braçe: “Dorëheqja e Bimes është akt moral”
PS: Gjirokastër, ngjarja të zbardhet deri në fund
TIRANË- Tragjedia e Gjirokastrës, ku humbën jetën tre persona nën rrënojat e pallatit 5-katësh, u shoqërua dje me debate të ndërsjella në Kuvend mes dy forcave kryesore politike. Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi dje se shkaktari kryesor i tragjedisë ishte kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. “Opozita duhet të dalë në këtë sallë dhe të kërkojë dorëheqjen e kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës dhe mos ta mbrojë atë. U ndërtua një pallat mbi baza korrupsioni, duke mos respektuar asnjë kriter ndërtimi dhe duke marrë jetën e njerëzve të pafajshëm që mendonin se ishin të qetë në shtëpitë e tyre”,- tha ai. Edhe deputeti i zones, Genc Ruli, njëkohësisht ministri i Ekonomisë, kërkoi ndëshkimin më të ashpër të përgjegjësve të tragjedisë. Ai ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje për tre viktimat, që mbetën nën rrënojat e pallatit 5-katësh, si rezultat i shembjes.“Banorët ishin ankuar disa herë dhe kishin protestuar për të mos lejuar ndërtimin e pallatit në themelet e pallatit të tyre, por protesta e tyre u neglizhua dhe ndërtimet vazhduan derisa ngjarja u kthye në një tragjedi”,- tha Ruli. Ndërkohë, kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, shprehu ngushëllimet për familjet që kanë humbur të afërmit, duke kërkuar në të njëjtën kohë që ngjarja të zbardhet deri në fund nga ana e organit të akuzës. “Ne mbështesim prokurorinë në punën e saj dhe njëherësh e nxisim atë që hetimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundshme”, - tha dje Leskaj. Edhe nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe, shprehu gatishmërinë në emër të grupit për çdo hetim që mund të hapet. “Ne jemi të hapur që të fillojë çdo çështje penale, pasi përgjegjësia është individuale. Ndërsa, në lidhje me çështjen e Gërdecit dhe asaj që po ndodh, nuk duhet të bëhen paralelizma, pasi në këtë rast Kryeministri është ai që duhet të japë dorëheqjen, për faktin se ai dhe familja e tij janë të përfshirë në këtë çështje. Dhe jo vetëm kaq, por jo shumë larg nga këtu në pallatin ku jeton dhe vetë kryeministri ynë në kat të katërt, tre kate mbi kokën e tij, në kat të shtatë, po ndërtohet pa leje”,- tha dje Braçe. Ai u shpreh se, Bime duhet të japë dorëheqjen. “Për mua është një gjë fare normale që mund të bëjë kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, pastaj të tjerat i takojnë z. Bime, i cili për hir të së vërtetës, këto vite, ka treguar përgjegjësi dhe rasti është i tillë dhe normalisht, z. Bime duhet të përballet me qytetarët e Gjirokastrës dhe të japë dorëheqjen në shenjë morale”,- tha ai