ALUIZNI në Durrës, 400 aplikantë pa adresa

LEGALIZIMET/ Drejtori Andi Lila pohon se shumë persona që kanë aplikuar nuk gjenden në banesat e tyre
Verifikimet në terren po vijonë edhe me zonat kodrinore duke bërë krahasime me fotografimet ajrore
DURRËS - Në qytetin e Durrësit procesi i legalizimit të banesave po shkon drejt përfundimit. Në shumë zona informale ekspertët e ALUIZNI-t po bëjnë verifikimet e fundit në terren para dërgimit të listave të plota të shtetasve për aplikim pronësie në Këshillin e Ministrave.
Po gjatë këtyre procedurave personeli teknik i ALUIZNI-t, thotë drejtori Andi Lila, ka ndeshur në një vështirësi që e pengon procesin për t'u përmbyllur sa me shpejt dhe kjo sepse shumë aplikantë janë larguar pa adresë nga vendbanimet e tyre të deklaruara. Ky numër është i konsiderueshëm në rreth 400 vetë. Për këtë janë ngritur edhe 2 grupe pune që operojnë në zonën e ish-Kënetës dhe Shkozetit.
Në bilancet e punës që bën ky institucion ka rezultuar se nga 18 400 dosje që po përpunohen për Durrësin, rreth 400 vetë që kanë paraqitur dokumentacionin përkatës të banesave të tyre për t'i legalizuar konform ligjeve të shtetit, në kohën që specialistët u trokasin në derë, nuk i gjejnë dhe nuk kanë as adresa të caktuara, gjë që u vështirëson punën ekspertëve. Ata kanë trokitur në shumë dyer dhe kanë kërkuar nga fqinjët që të komunikojnë me ta, por nuk janë të pakta rastet që edhe fqinjët thonë se nuk i njohin.
Një gjë e tillë ka ndodhur sepse pasi kanë blerë tokën në zonat informale, pronarët kanë caktuar ndonjë person me grup pune për të kryer ndërtimin e banesave dhe pasi janë bërë ndërtimet, ato janë paraqitur për legalizim, ndërkohë që më pas pronarët janë larguar ose drejt qendrave të tjera për të ushtruar aktivitetin ose janë në emigracion në vendet fqinje.
Në bisedë me drejtorin Andi Lila, ai thotë se me gjithë këto pengesa, procesi po shkon drejt mbylljes. Aktualisht po bëhen disa verifikime në zonat kodrinore, pasi janë vërejtur disa pasaktësi në matjet e terreneve të pjerrëta dhe konflikti ndodh kur bëhen krahasimet me matjet në terren me fotografimet ajrore.
Në këtë rast, sqaron Lila, nëse një sipërfaqe toke e matur në terren është psh 100 m2 kur shikohen nga foto ajrore humbasin dhe rezultojne si 80 m 2 etj. Sipas Lilës, procesi i legalizimeve ka pasur ecuri të shpejtë dhe deri më 15 korrik do të plotësohen rreth 700 dosje me të cilat kompletohet i gjithë rajoni që përfshihet nën juridiksionin e Bashkisë së Durrësit dhe me këtë përfundon plotësisht i tërë procesi i kalimit të pronësisë.